Bota U deklarua i vdekur, zgjohet ndërsa mjekët po i hiqnin  organet për...

U deklarua i vdekur, zgjohet ndërsa mjekët po i hiqnin  organet për dhurim

Anthony Thomas “TJ” Hoover

Sado e pabesueshme që të duket, një 36-vjeçar, i cili pësoi një goditje në tru u deklarua i vdekur dhe u zgjua ndërsa kirurgët në një spital në Kentaki po i hiqnin organet për dhurim.

Familja e Anthony Thomas “TJ” Hoover tha për mediat lokale se rasti i tij ngre shumë pyetje në lidhje me procesin e dhurimit të organeve, duke vënë në dukje se njeriu i tyre jetoi një makth të vërtetë. Rasti ka ndodhur në vitin 2021, por vetëm tani është bërë publik me kërkesë të familjes. Teksa u deklarua i vdekur sipas protokollit mjekësor, papritur, teksa ekipi i kirurgëve po i hiqte organet, ai u zgjua.

Rasti i Anthony Thomas Hoover është nën hetim nga autoritetet federale, njoftoi të enjten Radio Publike Kombëtare dhe stacioni i lajmeve në Kentaki, WKYT.

Zyrtarët në sistemin e prokurimit të organeve të SHBA këmbëngulin se ka masa të posaçme për të parandaluar incidente të tilla, raporton The Guardian, megjithëse familja e tij tha për mediat që përvoja e tyre diktoi nevojën për të paktën disa reforma në sektorin e dhurimit të organeve.

Motra e Hoover-it, Donna Rohrer, shpjegoi për gazetën britanike se i vëllai u dërgua në Spitalin Baptist në Richmond, në tetor 2021 për shkak të një mbidoze droge.

Brenda pak orësh, mjekët i thanë familjes së tij se ai nuk kishte fare reflekse apo aktivitet truri dhe të afërmit vendosën ta heqin atë nga mbështetja e jetës, raportoi stacioni i Kentakit WKYT.

Stafi i spitalit më pas i tha motrës së “të ndjerit” se ai duhej shndërruar në dhurues organesh. Spitali, ashtu siç duhej, bëri kërkime për organet që do të ishin të zbatueshme dhe madje drejtuesit mbajtën një ceremoni për nder të të ndjerit.

Rohrer pranon se sytë e Hoover-it filluan të hapeshin.

“Na u tha se ishte thjesht një refleks – një gjë normale,” i tha ajo The Guradian. “Kush jemi ne për të vënë në dyshim sistemin mjekësor?”

Rreth një orë pasi Hoover u soll në sallën e operacionit për t’i hequr organet, një mjek doli nga dhoma duke thënë se pacienti “nuk ishte gati”.

“Ai u zgjua,” tha Rohrer, duke shtuar se mjekët e këshilluan atë të merrte vëllanë e saj në shtëpi, megjithëse ai ndoshta nuk do të jetonte më gjatë.

Ajo, siç tha për rrjetin lokal WKYT, ishte kujdesur për Hoover-in për tre vitet e fundit.

Radioja Publike Kombëtare (NPR) vlerëson se disa vëzhgues shqetësohen se vëmendja e medias që ka marrë rasti i Hoover-it mund të dëmtojë një sistem transplantimi organesh me një listë pritjeje prej më shumë se 100,000 personash.

Një profesor i etikës mjekësore i kontaktuar nga radio NPR tha se të gjitha indikacionet janë se rastet si ai i Hoover-it janë përgjithësisht “raste të izoluara që shpresojmë se do të jemi në gjendje t’i kalojmë dhe t’i parandalojmë që të ndodhin përsëri”.

Rohrer, megjithatë, mbrojti vendimin për të bërë publike historinë e vëllait të saj, duke thënë se ia vlen të ndahet nëse mundet për të “inkurajuar një familje tjetër të flasë nëse ata kanë pasur një incident të ngjashëm”.

Vëllai i saj, vëren ajo, “bëri përpjekje për të thënë ‘hej, unë jam këtu’, por u shpërfill,” tha Rhorer për WKYT. “Por ata e ndaluan procesin sepse ai po jepte shenja jete. Thellë brenda, e dija se diçka nuk po shkonte, por e krahasova përpjekjen time me Davidin dhe Goliathin. Kush jam unë që të ngatërrohem me sistemin mjekësor?”, theksoi motra e Hoover-it.

Megjithatë, rastin tani po e ndjek kryeprokurori i shtetit dhe një agjenci federale. Ata po hetojnë për të kuptuar nëse janë respektuar të gjitha procedurat dhe nëse janë shkelur ligjet.