Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka ankimuar dënimin me 2 vite burg për akuzën e fshehjes së pasurisë në 3 raste.
Ankimi është dorëzuar këtë të enjte në gjykatë dhe pritet që në ditët më vijim të hidhet shorti për gjyqtarin.
Më 20 maj Gjykata e Posaçme shpalli fajtor ish-kryeprokurorin Llalla për akuzën e “refuzim për deklarim” dhe “fshehje pasurie” dhe e dënoi me 2 vite, duke i hequr edhe të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Sakaq, Llallës i janë sekuestruar edhe 4 sipërfaqe toke në periferi të Tiranës si dhe një apartament në Durrës, të cilat do të kalojnë në pronësi të shtetit.
Pas këtij vendimi ish-prokurori i Përgjithshëm nuk ka shkuar në qeli, pasi ky është një vendim i shkallës së parë dhe jo një vendim i formës së prerë.