Bota U dënua për vrasjen që s’e kishte bërë, 34-vjeçari me dëmshpërblimin më...

U dënua për vrasjen që s’e kishte bërë, 34-vjeçari me dëmshpërblimin më të madh në historinë e SHBA

Një shtetas amerikan mori 50 milionë dollarë dëmshpërblim pasi u dënua gabimisht për vrasje, një ndër pagesat më të mëdha të këtij lloji në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Marcel Brown, 34 vjeç, u dënua me 35 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e një djali 19-vjeçar në vitin 2008 në West Side të Çikagos.

Brown kreu dhjetë vjet burg përpara se të lirohej në vitin 2018 pasi një gjykatë e rrëzoi dënimin e tij dhe prokurorët hoqën të gjitha akuzat kundër tij.

Pas një gjyqi dy-javor, një juri në Gjykatën e Qarkut të SHBA-së në Çikago i dha dëmshpërblim Brown-it, duke gjetur se policia sajoi prova dhe detyroi një rrëfim të rremë prej tij.

Firma ligjore Loevy & Loevy tha se oficerët e mbyllën Brown në një dhomë marrje në pyetje për më shumë se 30 orë, e privuan atë nga ushqimi, refuzuan kërkesat e tij të përsëritura për një telefonatë dhe e penguan të flinte.

Policia gjithashtu e kërcënoi atë me burgim të gjatë nëse ai refuzonte të rrëfente dhe largonte nënën dhe avokatin e tij kur të mbërrinin për ta ndihmuar, tha Loevy & Loevy.

“Unë isha vetëm një fëmijë. Më futën në një strofkë plot me ‘luanë’, nuk u interesuan dhe nuk u penduan”, tha Brown në një deklaratë të lëshuar nga avokatët e tij.