Aktualitet “U detyrova pasi më kërcënoi”, zbardhet dëshmia e shqiptarit që ekzekutoi bashkatdhetarin...

“U detyrova pasi më kërcënoi”, zbardhet dëshmia e shqiptarit që ekzekutoi bashkatdhetarin në Selanik

Mediat greke kanë zbardhur një pjesë të dëshmisë që ka dhënë në polici 45-vjeçari shqiptar që vrau me armë të enjten një 50-vjeçar gjithashtu nga Shqipëria, në Selanik të Greqisë.

Autori ka thënë para hetuesve se nuk ka patur për qëllim ta vriste 50-vjeçarin, me të cilin ka patur njohje të mëparshme, por sipas tij, u detyrua pasi ishte kërcënuar.

“Nuk kam patur motiv ta vrisja. Kohët e fundit kam marrë kërcënime për jetën nga viktima. Ka patur dy incidente të dhunshme ndaj meje nga ana e viktimës, dhe jashtë karburantit u sulmova sërish nga i ndjeri”, ka deklaruar në polici 45-vjeçari.

Ky i fundit ka hematoma dhe të nxira në kokë për shkak të goditjeve me zinxhir nga ana e viktimës para se të qëllohej me armë.

Autori i ka treguar policisë edhe vendin se ku ka braktisur makinën me të cilën u largua pas krimit, si dhe ku ka lënë armën me të cilën vrau 50-vjeçarin.

I dyshuari u vetëdorëzua sot në policinë greke i shoqëruar nga avokati i tij.

Vrasja e një dite më parë në Selanik pranë një pike karburanti ishte filmuar e gjitha nga kamerat e sigurisë.

Autori kishte ndaluar makinën në anë të rrugës. Ndërsa në xhamin anësor të mjetit ishte afruar viktima që po konfliktohej me shoferin dhe e godiste me zinxhir nga dritarja.

Por në një moment, autori e qëlloi me armë nga brenda mjetit duke e lënë të vdekur 50-vjeçarin shqiptar.

Shkaqet e sakta të konfliktit mes tyre që përfundoi me vrasje nuk dihen ende.