Prej 7 ditësh një 67-vjeçare në Korçë qëndron e shtruar në spital pasi u dhunua gjatë një grabitje në banesën e saj. Ngjarja ka ndodhur më 29 Dhjetor 2022 në fshatin Pirg.
67-vjeçarja ka pësuar fraktura për shkak të goditjeve nga autorët, të cilët i morën një shumë parash.
Nga shtrati i spitalit, ajo tregon se si autorët, të paidentifikuar, e kërcënuan për jetën për t’i marrë pasurinë.
67-vjeçarja Luljeta Hoxha kujton: “Deri në orën 10 pa 20 isha zgjuar, rashë të flija dhe ikën dritat. U hap porta, unë isha shtrirë, erdhi një trup i gjatë dhe m’u hodh sipër. Lekët, më tha, se të vrava! I thoja se nuk kam lekë, vetëm pensionin. Lekët, më tha përsëri, se të vrava. Më lidhi duart dhe gojën me një leckë dhe litar, dhe më godiste. Më mori zvarrë nga dhoma tjetër, e më kërkonte përsëri lekë. Nxori thikën dhe më godiste me shkelma”.
“Lekët i kisha kursime sepse kisha shitur tokat. Mendoja të kisha lekët për t’u pleqëruar e varrosur. 10 000 euro m’i mori. Në divan i kisha fshehur, aty ku flija. I gjeti vetë. Policia erdhi pasi u përmenda. Kam dhimbje të mëdha. Shkova te komshinjtë, kërkova ndihmë. Isha e goditur dhe me enjtje. Lajmëroi policinë komshia, më pyetën dhe u tregova. Më mori policia dhe më solli pa ndjenja në spital”, shtoi e moshuara.
67-vjeçarja nuk e ka idenë se kush mund ta ketë kryer grabitjen: “Nuk kam dyshime kush mund të jetë, nuk e di”.
Një javë pas grabitjes, Policia e Korçës nuk ka mundur ende të identifikojë autorin/ët e grabitjes.