Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu efektivin e Forcave Speciale RENEA, Xhulio Liçin, pas qëndrimit 35 ditë në burg me afat. I riu me banim në Fier u arrestua gjatë një operacioni antidrogë më 14 maj në rrugën Tiranë-Plepa pasi në makinën e tij u gjet një sasi prej 1 kg kokainë ndërsa në pranga u vu dhe Dedë Nimani.
Gjatë caktimit të masës së sigurisë, 62-vjeçari Nimani pranoi se droga ishte e tij dhe speciali i RENEA-s nuk ishte i përfshirë në trafik, por e kishte marrë rastësisht në makinë.
“Kam marrë si taksi një të njohurin tim që quhet Luan të cilit nuk i kam treguar arsyen e vërtetë dhe së bashku kemi shkuar deri në Plepa. Pasi e kam blerë drogën kam dalë në rrugë dhe që të mos bie në sy kam ecur në këmbë për një farë kohe derisa ka ardhur një makinë të cilës i kam bërë shenjë dhe ka ndaluar”, deklaroi para hetuesve Dedë Nimani.
Vetë Liçi u shpreh para togave të zeza se nuk e njihte më para Nimanin, por kur e kishte parë në Plepa duke kërkuar makinë për të ardhur në Tiranë, dhe e kishte marrë.
Togat e zeza i lanë afat 35 ditë Prokurorisë që të provonte nëse Xhulio Liçi ishte i përfshirë në veprimtarinë e trafikut të drogës ose në të kundër do të lirohej. Siç duket akuza nuk ka mundur të gjejë prova për efektivin e në këtë mënyrë pas përfundimit të afatit 35 ditor, speciali i RENEAS është lënë i lirë.
Nimani u shpreh se me përgjegjësi të plotë penale, deklaronte mos përfshirjen as të Luanit Gaçit, as të efektivit të RENEA-s, Xhulio Liçit në blerjen dhe transportin e sasisë së kokainës.