Redin Çaushaj 28 vjeç, inspektor i Policisë në Lukovë, ndodhet në gjendje kritike për jetën. Shkak u bë, sipas policisë, ndërhyrja e të riut për të zgjidhur një konflikt mes dy personave në fshatin Pilur.
Rreth orës 23:00 të së martës, punonjësi i policisë i cili ndodhej jashtë orarit të shërbimit teksa kalonte në rrugë pikasi dy persona që po konfliktoheshin me njëri-tjetrin.
Tentativa e tij për të ulur tensionet dështoi pasi 60 vjeçari me inicialet TH.M e goditi me thikë dhe u largua menjëherë nga vendngjarja.
Pas 8 orësh kërkime, policia ka arrestuar 60-vjeçarin në fshatin Pilur të Himarës, i cili goditi mbrëmjen e djeshme me thikë një inspektor policie. Mësohet se autori i plagosjes së rëndë ishte fshehur në ambientet e një ish-reparti ushtarak. Veç tij, në pranga është vënë dhe 39 vjeçari me inicialet A.P për moskallëzim krimi.
“Plagosi rëndë me mjet prerës, punonjësin e Policisë, i cili ishte jashtë shërbimit, por ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti, pas 8 orësh ndjekje nga Policia, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 60-vjeçari. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në fshatin Pilur, ku mbeti i plagosur rëndë me mjet prerës një punonjës policie 25 vjeç, me detyrë inspektor i Policisë së zonës në Lukovë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, shërbimet operacionale të DVP Vlorë dhe grupe të FNSH-së, kanë organizuar punën për kapjen e autorit.
Pas 8 orësh kërkime dhe ndjekje, shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga 60-vjeçarin Th. M., i cili ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Jetës të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, kanë arrestuar në flagrancë 60-vjeçarin Th. M., për veprën penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. P., 39 vjeç, banues në fshatin Pilur, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, thotë policia.