Bota U godit nga rrufeja në plazh, vdes pas 10 ditësh në koma...

U godit nga rrufeja në plazh, vdes pas 10 ditësh në koma 42-vjeçarja italiane

Një grua 42-vjeçare italiane ka ndërruar jetë, pasi u godit nga rrufeja teksa ishte në breg të detit.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Pamela Di Lorenzo vdiq pas 10 ditësh qëndrimi në koma. Ajo u shpall e vdekur në mbrëmjen e vonë të 12 gushtit, ndërsa pasdite u konfirmua vdekja e trurit të saj.

Rrufeja e goditi atë mesditën e 3 gushtit, ndërsa ishte në plazh në Alba Adriatica (Teramo) në Abruzzo ku jetonte me partnerin dhe djalin e saj.

Gruaja ishte në gjendje më të rëndë ndër tre personat që kishin marrë goditjen e fortë elektrike atë mëngjes. Ajo kishte kaluar në arrest kardiak. Ndërsa dy të tjerë që ishin pranë saj u plagosën më lehtë.

Turistët e shumtë të pranishëm në plazh të tronditur nga ngjarja kishin folur për një “skenë apokaliptike”.

“Është dëgjuar gjëmim dhe më pas paniku”, kanë thënë dëshmitarët. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të datës 3 gusht, pas një periudhe të shkurtër shiu. Por plazhi ishte ende i mbushur me njerëz. “Qielli ishte i vrenjtur dhe kishte rënë shi për disa minuta, por kishte ende shumë njerëz”.

Gruaja e njohur në Alba Adriatica dhe rrethinë, jetonte jo shumë larg vendit të tragjedisë me partnerin dhe djalin e saj të mitur dhe punonte në një lokal në të njëjtën lagje. Familjarët kanë dhuruar organet e saj.