Kuba ka mbetur plotësisht pa energji elektrike pasi uragani Ian ka goditur skajin perëndimor të ishullit. Zyrtarët e vendit thanë se sistemi elektrik po përjeton një kolaps total.
Në televizionin shtetëror të Kubës, kreu i Autoritetit të Energjisë Elektrike njoftoi se ndërprerja e energjisë elektrike kishte ndodhur si rezultat i prishjes së sistemit elektrik kombëtar, duke lënë 11 milionë njerëz në errësirë. Si pasojë e uraganit, 2 persona kanë ndërruar jetë dhe shumë ndërtesa u dëmtuan në mbarë vendin.
Një grua 43-vjeçare në provincë u vra pasi u shembën muret e shtëpisë së saj. Një fermer në qytetin San Juan y Martínez u godit nga rryma ndërsa përpiqej të mbyllte një turbinë me erë që përdoret për ujitje, raportoi New York Times.
Një banore e Pinar del Rio tha se kur stuhia goditi, ishte më e errëta e jetës së saj.
“Ne pothuajse humbëm çatinë e shtëpisë sonë. Vajza ime, bashkëshorti im dhe unë e lidhëm me litar që të mos fluturonte larg”, tha ajo për Reuters.
Uragani ka mbledhur forcë në Gjirin juglindor të Meksikës pasi u largua nga Kuba, thotë Qendra Kombëtare e Uraganeve të SHBA-së (NHC).
Uragani i kategorisë së tretë, me shpejtësi të erës deri në 195 km/h (120 mph), pritet të godasë Floridan.