Bota U godit nga uragani Ian, Kuba “zgjohet” në errësirë totale

U godit nga uragani Ian, Kuba “zgjohet” në errësirë totale

Pamje pas goditjes së uraganit në Kubë

Kuba ka mbetur plotësisht pa energji elektrike pasi uragani Ian ka goditur skajin perëndimor të ishullit. Zyrtarët e vendit thanë se sistemi elektrik po përjeton një kolaps total.

Në televizionin shtetëror të Kubës, kreu i Autoritetit të Energjisë Elektrike njoftoi se ndërprerja e energjisë elektrike kishte ndodhur si rezultat i prishjes së sistemit elektrik kombëtar, duke lënë 11 milionë njerëz në errësirë. Si pasojë e uraganit, 2 persona kanë ndërruar jetë dhe shumë ndërtesa u dëmtuan në mbarë vendin.

Një grua 43-vjeçare në provincë u vra pasi u shembën muret e shtëpisë së saj. Një fermer në qytetin San Juan y Martínez u godit nga rryma ndërsa përpiqej të mbyllte një turbinë me erë që përdoret për ujitje, raportoi New York Times.

Një banore e Pinar del Rio tha se kur stuhia goditi, ishte më e errëta e jetës së saj.

“Ne pothuajse humbëm çatinë e shtëpisë sonë. Vajza ime, bashkëshorti im dhe unë e lidhëm me litar që të mos fluturonte larg”, tha ajo për Reuters.

Uragani ka mbledhur forcë në Gjirin juglindor të Meksikës pasi u largua nga Kuba, thotë Qendra Kombëtare e Uraganeve të SHBA-së (NHC).

Uragani i kategorisë së tretë, me shpejtësi të erës deri në 195 km/h (120 mph), pritet të godasë Floridan.