Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri është arrestuar.
Ndaj tij është lëshuar zyrtarisht fleta e arrestit, 11 orë pasi u shoqërua në restorantin e tij në shëtitoren e Himarës pak pas mesnatës.
Urdhri është firmosur nga oficeri i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Vlorës nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
“Në Vlorë, me 12.05.2023 ora 09:45, unë Orgert Thoma, Oficeri i Policisë Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Rrethit Giyqësor Vlorë, në bazë të neneve 251 dhe 255 te K. Pr. Penale, mbaj këtë procesverbal për arrestimin në flagrancë të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, i biri i Petro dhe i Kasiani, i datëlindjes 09.08.1972 lindur në Himarë dhe banues në Himarë, me arsim të lartë, kombësia Greke, shtetësia Shqiptare dhe Greke, gjendja familjare i martuar, gjendja gjyqësore dënuar më parë me 3 vjet heqje lirie për veprën penale “Nxitje dhe urrejtje nacionale”, në vitin 2003, i identifikuar nga policia gjyqësore.
Arrestimi u krye si autor i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 328 e 25 të K.Penal, që ka ndodhur në rrethanat si më poshtë: Ky shtetas është kapur në flagrancë në Himarë më date 12.05.2023 ora 00:14 minuta, në bashkëpunim me persona të tjerë, duke premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës. Të arrestuarit në flagrancë iu bë e ditur se në bazë të nenit 255 ka të drejtë të ketë mbrojtës, se nuk ka detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfarëdo që ai thotë mund të përdoret ndaj tij në gjykim”, thuhet në urdhër-arrestin e lëshuar ndaj Fredi Belerit.
Brenda 72 orësh, Fredi Beleri do të duhet që të dalë për masë sigurie në Gjykatën e Vlorës dhe më pas çështja do t’i kalojë SPAK-ut pasi veprat penale për korrupsion në zgjedhje janë kompetencë e Prokurorisë së Posaçme.
Fredi Beleri ka qenë në qendër të vëmendjes të opinionit publik ditët e fundit pas deklaratës që ai ka bërë në mediat greke ku është shprehur se në rast se fiton do të punojë për helenizimin e Himarës.