Dy shqiptarë të kapur në një fabrikë kanabisi në Glasgou janë liruar nga burgu pasi u zbulua se ishin viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.
Orges Rizaj dhe Agustin Grembi u arrestuan në një ndërtesë industriale të konvertuar në fabrikë kanabisi që në Nëntor 2020.
Bimët e kanabisit me vlerë deri në 9.5 milion paund u sekuestruan gjatë kontrollist të policisë. Dy shqiptarët më vonë u deklaruan fajtorë për akuzat për kultivim kababisi dhe u përballën me dënime të gjata me burg.
Megjithatë, ata u lanë të lirë pasi u mësua se shqiptarët janë trafikuar në Skoci për të punuar në fabrikë. Gjykata e Lartë në Glasgou dëgjoi se si z. Rizaj dhe z. Grembi kishin qenë shumë të frikësuar për të shpjeguar se çfarë kishte ndodhur për shkak të pasojave të mundshme për ata dhe familjet e tyre. Deklaratat e tyre të fajësisë u tërhoqën dhe deklaratat e reja të pafajësisë u pranuan nga Gjykata.
Gjykatësi Lord Mulholland tha: “Ky është një hap i jashtëzakonshëm dhe jam i kënaqur që ka rrethana të jashtëzakonshme.”
Z. Rizaj i tha policisë se kishte qenë në Skoci për dy muaj dhe ashtu si ai, edhe z. Grembi u pyetën në lidhje me trafikimin e dyshuar të qenieve njerëzore.
“Rizaj tha se kishte ardhur në Mbretërinë e Bashkuar për një jetë më të mirë dhe kishte paguar 18,000 euro për ata që rregullonin transportin”, i tha Gjykatës prokurori Euan Cameron.
“Kjo shumë ishte ende e papaguar dhe ai po punonte për ta shlyer atë.”
Avokati i zotit Rizaj, Billy Lavelle tha: “Ai nuk po paguhej asgjë. Ai po paguante transportin (për në MB)”.