Zbulohen imazhet e Land Rover Defender të modifikuar nga Princi Filip, për të mbajtur arkivolin e tij. Duka i Edinburgut, i cili u nda nga jeta në moshën 99-vjeçare, punoi për modifikimin e mjetit për 16 vjet, duke filluar nga viti 2003.
Ndryshimet kryesore janë bërë në pjesën e pasme, e cila është e hapur dhe do të përdoret për të transportuar arkivolin e tij në Shën George’s Chapel.
Duka, i cili shërbeu në Marinën Mbretërore në Luftën e Dytë Botërore, projektoi të gjitha detajet duke përfshirë ngjyrën e errët si dhe kapëset e argjendit të njohura si “ndalesa”, të cilat do të mbajnë të fiksuar arkivolin.
Duka përdori makina Land Rover gjatë gjithë jetës së tij dhe e ka cilësuar atë si makinën e tij të preferuar të të gjitha kohërave.
Kufizimet e koronavirusit në Angli nënkuptojnë se vetëm 30 persona, të distancuar nga njëri-tjetri, do lejohen të marrin pjesë në funeral. Ndërkaq, sipas Pallatit Buckingham, detajet e ceremonisë së varrimit janë në përputhje me dëshirat e Dukës.