Themeluesi i Telegram, Pavel Durov, është akuzuar nga drejtësia franceze për lejimin e aktivitetit kriminal në aplikacionin e mesazheve, por shmangu burgun me kushtin e pagesës së 5 milionë eurove.
Multimiliarderi me origjinë ruse, i cili ka nënshtetësi franceze, u lirua me kusht që të paraqitej në një stacion policie dy herë në javë dhe të qëndronte në Francë dhe nuk lejohet të largohet nga territori francez.
Akuzat kundër Durov përfshijnë bashkëpunim në përhapjen e imazheve seksuale të fëmijëve dhe një sërë shkeljesh të tjera të supozuara në aplikacionin e mesazheve.
Në deklaratën e së mërkurës, prokurorët e Parisit thanë se Durov u vu nën hetim zyrtar mbi veprat e supozuara që përfshinin: “Bashkëfajësi në administrimin e një platforme online për të mundësuar transaksione të paligjshme nga një bandë e organizuar; Refuzimi për të komunikuar me autoritetet dhe bashkëfajësi në shpërndarjen e organizuar kriminale të imazheve seksuale të fëmijëve”.
Sipas “Politico” ai akuzohet edhe për dhunë ndaj të miturve dhe njërit prej fëmijëve të tij, duke u bazuar në dokumentet gjyqësore mbi të cilat kishte një urdhër arresti nga autoritetet franceze që në mars të vitit të kaluar. Ai do të ishte lëshuar pas një hetimi të nisur për abuzim seksual ndaj të miturve, ndoshta i njëjti hetim që tani ka dalë në dritë bazuar në zbulimet e mbledhura nga agjencia AFP. Kjo do të kishte të bënte me ankesën e paraqitur në vitin 2023 nga nëna e fëmijës, e cila tani jeton me të në Zvicër.
39-vjeçari Durov, u arrestua në aeroportin Le Bourget në veri të Parisit, të shtunën e kaluar me dyshimin se nuk ka vepruar kundër përmbajtjes së paligjshme, duke përfshirë shkëmbimin e imazheve seksuale të fëmijëve, trafikun e drogës dhe mashtrimin.
Arrestimi i tij i befasishëm ka vënë në qendër të vëmendjes përgjegjësinë penale të Telegram, aplikacionit popullor me rreth 1 miliard përdorues, dhe ka ndezur debatin mbi fjalën e lirë dhe censurën e qeverisë