Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku përballet me padinë e parë ndërsa ka vetëm pak kohë që nisi detyrën në krye të organit të akuzës
Në Gjykatën Administrative ka mbërritur një padi e Rovena Gashit, e cila kundërshton urdhrin e lirimit të saj nga pozicioni i Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë.
Këtë vendim Gashi e quan “të pavlefshëm”
Padia e Gashit, argumentohet me faktin se Prokurorja e Përgjithshme e ka larguar pa motivacion.
“Vendimi për lirimin tim, absolutisht i pavlefshëm. Te pezullohet vendimi i lirimit si Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtme. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme ka uzurpuar kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, thuhet në padinë e prokurores.
Më tej nënvizohet se lirimi nga detyra i Rovena Gashit erdhi pasi kërkoi ndërprerjen e mandatit për deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.
“Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në zyrën e saj, në prani të dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme me funksione drejtuese, dhe konkretisht Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore dhe Thoma Jano, Drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve, i ka deklaruar paditëses Rovena Gashi se; ‘Dërgimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Dekriminalizimit, në lidhje me rezultatet e verifikimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike. Për këtë qëllim, lirohesh nga detyra e Drejtorit të kësaj Drejtorie”, citohet në padi.