Aktualitet U mbajt peng dhe u dhunua për 1 javë nga i dashuri,...

U mbajt peng dhe u dhunua për 1 javë nga i dashuri, 28-vjeçarja: Tentova të hidhesha nga kati i pestë

Gleard Gusholli, 31-vjeçari i cili akuzohet se mori peng e dhunoi barbarish për 1 javë bashkëjetuesen e tij 28-vjeçare.

Një 28-vjeçare shqiptare që ishte e arsimuar dhe punonte si infermiere në Gjermani, u njoh me Gleard Gushollin që e bëri të përjetojë ditët më të errëta të jetës aq sa tentoi vetëvrasjen. Asaj iu ‘verbëruan’ sytë nga dashuria dhe erdhi të krijonte familje me të në Tiranë, por u mbajt peng për 1 javë në shtëpi nga i dashuri që e dhunoi barbarisht. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të zonës së ish-Parkut të Autobusëve, në rrugën “Frosina Plaku”.

E reja arriti të shpëtojë falë kushërirës së tij, e cila e çoi në spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe ka rrëfyer gjithçka ndodhi me të dashurin që u arrestua mëngjesin e djeshëm. Sipas saj, dhuna kishte nisur që në Gjermani, ku e mbajti në shtëpi por prindërit e përzunë pasi nuk e pranonin sjelljen agresive ndaj të bijës. Kishin 1 vit e gjysmë që ishin njohur dhe 3 muaj pas ndarjes nisën sërish të komunikonin.

28-vjeçarja thotë se erdhi në Tiranë që të krijonte familje me të, por ai kishte synim që ta bënte të përjetonte tmerr dhe donte të hakmerrej ndaj saj. Në rrëfimin që bëri para mediave tregoi se e ka detyruar të konsumojë drogë, e torturonte duke e rrahur me këmbë karrigeje, i fuste gishtat në fyt dhe tentonte ta mbyste në dush.

Rrëfimi i 28-vjeçares:

“Më ka kërcënuar do të hedh në lumë, do marr kushëririn në telefon, nuk do të nxjerr nga shtëpia. Kam tentuar disa herë të hidhesha nga ballkoni se nuk e dora dot më. Më gjuante me grushte e me shkop. Më nxirrte thikën, ma mbante te këmba, më thoshte do ta çaj barkun. I lutesha të më hapte derën. Nuk më do mirë, vetëm më hap derën. Donte të hakmerrej se kemi qenë 3 muaj të ndarë. Në Gjermani ka nisur nga dhunë. Prindërit e mi e kanë marrë vesh dhe e kanë nxjerrë nga shtëpia. Kishim 1 vit e gjysmë që njiheshim. Në Gjermani më ka dhunuar, nuk e kemi denoncuar as unë as familja. Prej xhelozisë donte të hakmerrej, më merrte telefonin, nuk kontaktoja dot askënd. Në Gjermani kemi bashkëjetuar 1 muaj e gjysmë dhe prindërit e mi e nxorën nga shtëpia.

Persona të tjerë nuk kanë ndikuar në këtë dhunë por e di që fliste në telefon, shkruante mesazhe, më kërcënonte se do vijë shoku im tani, do të torturojmë.

Ai akuzonte prindërit e mi dhe mua që ne e kemi denoncuar, ne s’kemi bërë as denoncim e asgjë dhe në këtë moment merr gocën e dajës në telefon dhe i thotë të lutem më gjej një avokat në Gjermani dhe më thuaj pse s’më lejohet të hyj në Gjermani.

Kur flisja në telefon me gocën e dajës së tij, ajo i thoshte të lutem mos u zini. Kur folëm prapë në telefon, i thashë gocës së dajës të vijë të më ndihmojë. Më fuste 4 gishtat në grykë dhe donte me ma marr shpirtin. Unë e dija që po vdes e po jap shpirt. Më ka dhunuar. Unë kam lindur e jam rritur në Gjermani, jam infermiere.

Ai ka qenë në qytetin tim dhe ka kërkuar ndihmë se nuk ndihej mirë. Unë si shqiptare doja ta ndihmoja.

Më ka detyruar të konsumoj drogë. Këto 5 ditët e fundit e kam konsumuar, herët e tjera s’kam pasur kurrë lidhje me drogë. Mua nuk ka çfarë më mban Shqipëria, erdha të krijoja familjen me Gleardin, erdhi të hakmerret me mua. Me familjarët s’kam folur. Ditën që erdhi kunata për të më ndihmuar, rreth 15 herë më fuste gishtat në fyt e donte të më mbyste. Kur hapi derën ishte kunati i Gleardit, çuni i dajës dhe goca e dajës. Ata e nxorrën nga shtëpia. Goca e dajës më veshi rroba se isha nudo, më kishte futur në dush e donte të më vriste. Unë jam e vdekur”, tha 28-vjeçarja.

Sa i përket hakmarrjes, sipas 28-vjeçares, i dashuri pretendonte se familja e saj kishte gisht në një kallëzim ndaj tij që e ndalonte të hynte në Gjermani, por në fakt thotë se nuk e kishin denoncuar asnjëherë.

Ndërsa avokati i saj mbrojtës, Enea Cenko ka kërkuar që të shtohen 2 vepra penale për autorin. Ai tregon se u njohën në Gjermani, ku vajza punonte si infermiere dhe u thirr për të përkthyer kur 31-vjeçari kërkoi shërbim mjekësor.

“Kërkoj në mënyrë urgjente kualifikimi i veprës penale për pengmarrje dhe tentative vrasje. Ka plagosje të rëndë, pengim të zbulim të vërtetës dhe prodhim shitje narkotike. Për këtë situatë në bazë të informacioneve që kam, ka pasur motive xhelozie dhe për një kallëzim në shtetin gjerman. E mbrojtura nga unë ka pasaportë gjermane, infermiere në Gjermani ku edhe punonte dhe është njohur me 31-vjeçarin. Të dy janë dashuruar dhe kishin një javë që bashkëjetonin. Gjendja psikologjike është e rënduar. Ka shenja në trup.  I bëj apel institucioneve shtetërore që të marrin në mbrojtje atë vajzë”, tha avokati.