Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt ka reaguar pas gjestit të pahijshëm që bëri mbrëmjen e së dielës ndaj banorëve të Unazës së Re.
Ngjarja ndodhi teksa këta të fundit qëndronin përpara ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës pas arrestimeve që u kryen në përfundim të protestës.
Ambasadori i OSBE-së u nxori gishtin e mesit personave që ndodheshin aty.
“Do të doja t’u kërkoja sinqerisht ndjesë atyre që mund të kem fyer dje. Unë e respektoj të drejtën e shqiptarëve për të protestuar paqësisht”, thotë ambasadori Borchardt në rrjetet sociale.
Pas gjestit të ambasadorit, reagimi i përfaqësuesve të opozitës ishte i menjëhershëm. Ata e konsideruan veprimin e ambasadorit të neveritshëm dhe të turpshëm.
Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i bëri thirrje PD-së që të ndërpresë sulmet ndaj ambasadorëve.