Në një kronikë për skandalet e diplomacisë shqiptare, emisioni ‘Top Story’ në televizionin Top Channel publikoi një listë me emrat e fëmijëve të diplomatëve shqiptarë, të cilët, sipas gazetarëve të këtij emisioni, vazhdojnë të mbajnë pasaportat diplomatike në mënyrë abuzive.
Sipas tyre, në këtë rast është shkelur neni 54 i ligjit për shërbimin e jashtëm që thotë se fëmijët e diplomatëve mund të mbajnë pasaportën diplomatike deri në moshën 18 vjeç, e pas kësaj moshe duhet ta dorëzojnë atë.
Në kronikën e ‘Top Story’ thuhet gjithashtu se, në listën e siguruar prej tyre figurojnë fëmijë diplomatësh që kanë pasaportë diplomatike, edhe pse e kanë kaluar moshën 18 vjeç. Si rast të veçantë u morën vëllezërit Erlind dhe Taulant Sulko, djemtë e Taip Sulkos që shërben si këshilltar ministër në Ambasadën Shqiptare në Kanada.
Pas kësaj kronike ka reaguar njëri nga djemtë e diplomatit shqiptar, Erlind Sulko, i cili është shprehur se informacionet që gazetarët e Top Channel i kanë servirur publikut janë të pavërteta.
Me anë të një reagimi në facebook, Sulko thotë: “Do isha shumë i lumtur po të ishte e vërtetë: më në fund do më hynte në punë pasaporta shqiptare. Por, fatkeqësisht nuk është e vërtetë.”
Sipas tij, gjithçka që është thënë në adresë të tij dhe vëllait, Taulant Sulkos, janë shpifje, pasi ai dhe vëllai i tij e kanë dorëzuar pasaportën diplomatike dhe udhëtojnë me dokumenta kanadeze. Gjithashtu, Sulko thekson se në ‘kohën kur kishim pasaporta diplomatike, ligji ishte për fëmijët nën 26 vjeç, jo nën 18’, duke shtuar se Top Channel është kthyer në një vegël partiake që përdoret për të sulmuar njerëz të ndershëm.
“Sot ka qenë radha ime të duroj fyerjen dhe baltosjen e padrejtë timen dhe të familjes sime. Nesër është radha juaj”, shkruan Erlind Sulko në fund të reagimit të tij.
Pjesë nga kronika e Top Story:
Në skandal janë të përfshirë edhe trupa jonë diplomatike jashtë vendit. Në nenin 54 ligji për shërbimin e jashtëm shprehimisht thotë se ‘Bashkëshorti ose bashkëshortja e diplomatit dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç gëzojnë të drejtën e mbajtjes së pasaportës, por realisht në trupën tonë diplomatike janë me shumicë fëmijët e diplomatëve që i kanë kaluar të 18 dhe akoma kanë pasaportë diplomatike. Top Story siguroi listën me emrat e këtyre personave. Siç e shikoni në krye lexohet se kjo ësntë lista e fëmijëve të pajisur me pasaportë diplomatike që kanë mbushur 18 vjeç. Numri total i tyre është 54 persona. Këta janë fëmijët e diplomatëve që shërbejnë jashtë shtetit por edhe brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Po të marrim një rast konkret shohim se sa shumë pas dore është lënë ky kriter i ligjit. Do të bëjmë një kërkim për emrat e parë në listë që të jemi të paanshëm në përzgjedhjen tonë. Në krye kemi vëllezërit Erlind dhe Taulant Sulko, janë djemtë e Taip Sulkos që shërben si këshilltar ministër në ambasadën shqiptare në Kanda. Po t’i referohemi regjistrit kombëtar të gjendjes civile, shohim që Erlindi ka lindur në vitin 1992, pra ai sot është 27 vjeç, por vazhdon të mbajë pasaportë diplomatike. Vëllai i tij, Taulanti është i datëlindjes 88 dhe sot është 31 vjeç. Ai duhet ta kishte dorëzuar pasaportën diplomatike që në vitin 2006 para se të bëhej 18 vjeç, por kjo gjë nuk ka ndodhur.
Reagimi i Erlind Sulko:
Do isha shumë i lumtur po të ishte e vërtetë: më në fund do më hynte në punë pasaporta shqiptare. Por, fatkeqësisht nuk është e vërtetë.
Unë dhe im vëlla, Taulant Sulko, kemi vite që e kemi dorëzuar pasaportën diplomatike dhe udhëtojmë me dokumenta kanadeze.
Në kohën kur kishim pasaporta diplomatike, ligji ishte për fëmijët nën 26 vjeç, jo nën 18 vjeç.
Por ky rast i shpifur dhe me informacione të pavërteta tregon një gjë: Top Channel është kthyer në vegël partiake dhe është përdorur për të sulmuar dhe përbuzur njerëz të ndershëm. Unë dhe familja ime i kemi dhënë shumë atij vendi, dhe ai vend na ka përbaltur, mohuar dhe fyer. Prandaj, dhe kemi ikur.
Sot ka qenë radha ime të duroj fyerjen dhe baltosjen e padrejtë timen dhe të familjes sime. Nesër është radha juaj.