Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës 16-vjeçari i cili u përplas me Jet Ski në plazhin e Llamanit. Ngjarja e rëndë ndodhi dje, siç raporton dhe policia.
4 djem të rinj, shokë me njëri-tjetrin u futën në det me mjete lundruese Jet Ski. Manovrat me këto të fundit, ishin ato që shkaktuan tragjedinë.
Mësohet se dy prej të rinjve fillimisht dhanë dëshmi të rreme për atë që kishte ndodhur me dy të tjerët, kjo prej tronditjes.
Shtetasit K.Xh dhe D.K ishin dy të rinjtë që pësuan dëmtime prej përplasjes me mjetin tjetër Jet Ski. Fatkeqësisht drejtuesi i njërit Jet Ski, 16 vjeç nuk u mbijetoi dot plagëve të marra. Shoku i tij, pasagjer në mjet pësoi dëmtime të lehta.
Policia ka nisur hetim ndaj pronarit të dy mjeteve lundruese i cili ua dha 4 të rinjve me qira, përkatësisht 56-vjeçari R.P.
“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur sot, në Llaman, ku aksidentalisht u dëmtua rëndë shtetasi K. Xh., 16 vjeç, nga Tirana dhe u dëmtua lehtë shoku i tij shtetasi D. K., 17 vjeç, po nga Tirana, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi penal për shtetasin U. K., 17 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.
Procedimi penal ka nisur edhe për shtetasin R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.
Gjithashtu, operatorit turistik me administrator shtetasin R. P., nga ana e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë i janë bllokuar menjëherë të gjitha mjetet lundruese Jet Ski.
Për arsye sigurie i është bërë pezullimi i aktivitetit me mjetet lundruese. Nga hetimet ka rezultuar se: Në Llaman, shtetasit K. Xh. dhe D. K., së bashku me shtetasit U. K. dhe R. P., 17 vjeç, nga Tirana (të katërt shokë me njëri-tjetrin) janë futur në det, me 2 mjete lundruese Jet Ski.
Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh. dhe pasagjeri, shtetasi D. K. Shtetasi K. Xh., u transportua në Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar. Fillimisht, shtetasit U. K. dhe R. P., si pasojë e tronditjes, kanë dhënë dëshmi të rreme duke thënë se dy shokët e tyre u dëmtuan pasi u hodhën nga shkëmbi në det, por më pas, gjatë hetimeve, kanë deklaruar të vërtetën.
Të gjitha veprimet hetimore në lidhje me këtë ngjarje janë drejtuar nga prokurori dhe po në drejtimin e tij vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”, njoftoi policia më herët mbi ngjarjen e rëndë.