Amarildo Pajtoni, i njohur si Ildi Pajtoni, ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti tragjik mbrëmjen e djeshme. 27-vjeçari ndodhej prej disa ditësh në koma, si pasojë e një aksidenti me motor.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është konfirmuar nga familjarët e tij, ndërsa të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit në rrjetet sociale, edhe nga personazhe të njohur publikë.
I riu është djali i biznesmenit Mentor Pajtoni, dhe njëherësh nipi i Armando Pajtonit, që së bashku kanë ngritur një prej qendrave tregtare në kryeqytet. Prej afro dy javësh 27-vjeçari ndodhej i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë, por fatkeqësisht nuk ka mundur që t’i shpëtojë dot plagëve të marra.
Lidhur me ngjarjen e ndarjes së tij nga jeta, edhe Policia e Kavajës ka dalë me një njoftim zyrtar, ku bën me dije se shoferi i kamionit me të cilin u përplas i riu nuk ishte në ndikimin e alkoolit, por ndaj tij ka nisur një procedim për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.
“Në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur rreth orës 10:15, të datës 26.06.2024, në autostradën “Kavajë-Rrogozhinë”, ku motomjeti me drejtues shtetasin A. P., 27 vjeç, banues në Tiranë, ka goditur nga mbrapa automjetin me drejtues shtetasin kosovar J. S., 38 vjeç, dhe si pasojë mbeti i dëmtuar 27-vjeçari, i cili u transportua në Spitalin e Traumës, ju informojmë se: Në lidhje me këtë rast janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. Në përfundim të këtyre veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. S., për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Nga kryerja e testit të alkoolit, 38-vjeçari rezultoi 0.00 mg/l. Dyshohet se për shkak të dëmtimeve nga ky aksident, ditën e djeshme, shtetasi A. P. ka humbur jetën në Spitalin e Traumës, Tiranë”, bën me dije Policia.