Aktualitet “U përplasa me një dre”/ Si gënjeu italiani pasi përplasi për vdekje...

“U përplasa me një dre”/ Si gënjeu italiani pasi përplasi për vdekje 36-vjeçarin shqiptar

Ai e kishte dërguar makinën në servis, disa orë pas tragjedisë. Donte ta riparonte sa më shpejt që të ishte e mundur duke i thënë mekanikut që ishte përplasur me një dre.

Por Nichol Milani, 35 vjeç, punëtor, e dinte që kishte përplasur për vdekje Franko Gjinaj, 36 vjeç, nga Manta. Aksidenti tragjik ndodhi të dielën në mbrëmje. Karabinierët nisën menjëherë hetimet, por mbrëmjen e së martës pati një kthesë rreth rastit.

Sipas hetuesve, mekaniku që kishte marrë përsipër riparimin e makinës një golf të bardhë, nuk ishte në dijeni të fakteve. Kur mbërriti policia, kishte ende shenja të dukshme të përplasjes në makinë.

Gjurmët e gjakut në kapuç, xhami i thyer dhe mungesa e emblemës së përparme të Volkswagen (kjo pjesë ishte përplasur me viktimën dhe ishte sekuestruar nga karabinierët në mëngjes) ishin elementë minimal por themelor për të kuptuar se cila markë ishte makina.

Garazhi është në Giaveno, 20 km larg vendit të aksidentit tragjik. I shoqëruar në- komisariat, 35-vjeçari filloi të merrej në pyetje. Ai u tha hetuesve se ai kishte goditur aksidentalisht këmbësorin kur udhëtonte në atë rrugë, me gjasë për shkak të mjegullës. Ai e kishte vërejtur dhe tha që ishte ndalur rreth 300 metra më tej, pa i dhënë sidoqoftë ndihmë. Gjithmonë sipas fjalëve të tij, ai u largua menjëherë pas kësaj, sepse u përfshi nga paniku. Burri tha se më vonë u kthye në vendin e aksidentit, duke vërejtur një person të shtrirë në rrugë.

35-vjeçari u transportua në burg në Torino dhe do të duhet të përgjigjet për vrasjen në rrugë dhe mos dhënien e ndihmës. Makina u konfiskua për gjetje të mëtejshme teknike.

“La Stampa” shkruan se funerali i të ndjerit Gjinaj do të bëhet në Malësi të Madhe nga ku ka ardhur familja e tij. Gjykata vendosi dje pasdite që trupi të udhëtonte drejt Shqipërisë, ndërsa kufoma do të transportohet të shtunë me avionë nga Torino për në Tiranë, nga ku do të arrijë në rajonin verior të vendit

Babai Giovalin dhe nëna Katerina jetojnë dhe punojnë në Villafalletto, njëri si punëtor në bujqësi dhe gruaja si shërbyese në një shtëpi tjetër.

Franko, i cili dje do të kishte mbushur 36 vjeç, kishte edhe dy vëllezër, Mikele dhe Milenko, të cilët jetojnë në Villafalletto dhe Busca.

Familja shqiptare mbërriti në zonë në 1996. Franko, pasi ishte plagosur, nuk kishte qenë në gjendje të punonte.

/Panorama/