Sport U pezullua 4 vite për doping, reagon Pogba: Jam zemërthyer, më morën...

U pezullua 4 vite për doping, reagon Pogba: Jam zemërthyer, më morën gjithçka. Do ta apeloj vendimin

Paul Pogba është përjashtuar nga futbolli për 4 vite pasi akuzohet se ka përdorur doping. Por, për francezin ky është një vendim i padrejtë.

Në reagimin e tij të parë, ai thotë se është zemërthyer që gjithçka kishte arritur është hedhur poshtë, por thekson se kurrë në jetë nuk ka marrë suplemente të ndaluara.

“Sot jam informuar për vendimin e Tribunale Nazionale Antidoping dhe besoj se vendimi është i pasaktë. Jam i trishtuar, i tronditur dhe i thyer në zemër që gjithçka kam ndërtuar në karrierën time profesionale është hedhur poshtë. Kur të jem i lirë nga kufizimet ligjore, historia e plotë do të bëhet e qartë, por unë kurrë nuk kam marrë me vetëdije apo qëllimisht ndonjë suplement që shkel rregullat anti-doping. Si një atlet profesionist, unë kurrë nuk do të bëja asgjë për të përmirësuar performancën time duke përdorur substanca të ndaluara dhe kurrë nuk kam shpërfillur apo mashtruar kolegët atletë dhe mbështetësit e ndonjë prej skuadrave për të cilat kam luajtur ose kundër. Si pasojë e vendimit të shpallur sot unë do ta apeloj këtë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”, shprehet ai.

Mesfushori që është ende në pronësinë e Juventusit, shpresonte që nga ky proces i nisur që në fillimin e këtij sezoni të shpëtonte me një dënim minimal.

Megjithatë, autoritetet janë treguar të pamëshirshme duke e pezulluar me katër vite. Tashmë, kur lojtari është në moshën 30-vjeçare, vështirë se mund t’ia rifilloj edhe njëherë karrierës nga e para, ndaj karriera e tij mund të thuhet se ka përfunduar.