34-vjeçari Vinçesk Piroli, i plagosur mbrëmjen e së hënës, është vënë nën arrest nga policia. Urdhëri i ndalimit të tij është zbatuar në ambientet e Spitalit të Traumës, pasi ndaj tij ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi dyshohet se në Korrik të 2021 së bashku me Dorian Lalën kanë ekzekutuar në Ulqin shtetasin malazes Momçillo Gjurishiç.
Piroli mësohet se për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore nuk ka folur për policinë. Ai ka pasur vetëm një komunikim me mjekët e Lezhës, të cilëve iu ka thënë se ishte duke lëvizur në këmbë në afërsi të urës së Bunës, kur dikush është afruar dhe e ka qëlluar me një pistoletë me silenciator.
Ai gjithashtu ka treguar se nga frika se mos atentatorët e ndiqnin, nuk ka pranuar të shkojë për ndihmë në spitalin e Shkodrës, por ka zgjedhur të marrë mjekimin në spitalin rajonal të Lezhës.
Por për shkak se gjendja e tij u përkëqësua ndjeshëm, ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku këtë të martë iu komunikua masa e arrestit.
Policia ushtroi kontrolle në zonën urës së Bunës për kapjen e autorit, por deri më tani nuk ka rënë në gjurmët e tij. Gjithashtu uniformat blu të Lezhës bënë edhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë të spitalit të Lezhës dhe ndërtesave në afërsi të tij, për të zbuluar personin që e shoqëroi Pirolin nga Shkodra në Lezhë.
Një nga pistat kryesore të hetimit për ngjarjen e së hënës është pikërisht ajo e hakmarrjes, pasi policia dyshon se plagosja e Pirolit mund të ketë lidhje pikërisht me vrasjen e shtetasit malazes, Momçillo Gjurishiç në 4 Korrik të 2021.