Aktualitet U plagos nga polici, kush është i riu i rrezikshëm që u...

U plagos nga polici, kush është i riu i rrezikshëm që u arrestua në mënyrë të pazakontë

Pas më shumë se dy vite në kërkim për atentate, vrasje e ngjarje të tjera kriminale, është arrestuar në një ngjarje të pazakontë në vendin tonë, i shumë kërkuari Orges Bilbili.

Në këtë kohë karantine, kur vendi është në shtetrrethim, Bilbili, konsideruar person me rrezikshmëri të lartë kriminale, lëvizte nëpër Tiranë lirshëm, madje me armë me vete, por ky veprim ka sjellë dhe arrestimin e tij.

Orges Bilbili është personi i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me efektivin e policisë, paraditen e sotme në Tiranë.

Orges Bilbili

Bilbili ishte i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se është një nga autorët e masakrës së Lushnjes, për vrasjen e  Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në vitin 2017.

Ngjarja

Ditën e sotme, në kuadër të kontrollit për leje-daljet e qytetarëve pas masave të marra për Covid-19, polici i është afruar Bilbilit duke i kërkuar mjet identifikimi.

Ky i fundit ka refuzuar duke u larguar me vrap, ndërsa efektivi e ka ndjekur duke i bërë thirrje të ndalojë.

Nga çanta që mbante me vete, Bilbili ka nxjerrë një armë zjarri duke kërcënuar se do të qëllonte mbi efektivin. Ky i fundit ka qëlluar në ajër për ta paralajmëruar dhe duke i kërkuar që të hidhte armë, por ndërsa Bilbili nuk i është bindur, polici e ka qëlluar në gjymtyrët e poshtëm të këmbës.

Nga plumbat ka mbetur e plagosur po në gjymtyrë edhe një qytetare që po kalonte rastësisht pranë skenës.

Të dy të plagosurit ndodhen në spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën.

Detajet e ngjarjes janë bërë me dije në një deklaratë për gazetarët nga vendngjarja, nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi.