Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë nga SPAK pas 3 orësh.
Meta nuk dha detaje se për çfarë dosje është thirrur për të dëshmuar, por sërish foli me tone të ashpra kundër kreut të SPAK, Altin Dumani, të cilin vijon ta quaj “Dum Dumani”.
“SPAK është kthyer falë Dum Dumanit në një parti bashkëqeverisëse të Edi Ramës. U pyeta 3 orë kot më kot për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprime të të tjerëve”, tha Meta.
Sipas Metës, ai ishte thirrur në SPAK si “kundërshtar i narko regjimit”, që për ish-kreun e shtetit, Dumani po tenton të shpëtojë kryeministrin Edi Rama duke shkatërruar opozitën.
“Si kundërshtar i narko-regjimit që kërkon të mbahet me Dum Dumanin tuaj, që bën këtë akt kriminal kundër opozitës për të shpëtuar Edi Rama”, tha Meta.
Më tej vijoi me fyerjet ndaj kreut të Strukturës së Posaçme, Altin Dumani.
“Në vend të ndalojë Edi Ramën, inceneratorin, aferën e Portit të Durrësit të gjitha PPP-të. Merret me përrallat e laraskave të tij. Tani do iki te sipërmarrja, kam tryezën. Se këtë do Dum Dumani, të mos merremi… Këtë detyrë i ka caktuar Edi Rama. Ne do shkojmë te sipërmarrja që po vuan, po shkatërrohet nga taksat e Edi Ramës. Si kryetar i narko-regjimit që tenton ta mbajë me Dum Dumanin. Po bën akte kriminale kundër opozitës”, tha Meta.
Meta shkoi në SPAK, një ditë pas bashkëshortes së tij, deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi.
Kjo është hera e tretë e Metës në SPAK, dy të tjerat kanë qenë për hetimet lidhur me dosjen CEZ-DIA, hetime këto që po kryen nga vetë kreu i SPAK, prokurori Altin Dumani.