Të tjera detaje zbulohen nga ekzekutimi mafioz i 46-vjeçarit Bardhok Pllanaj, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Shkodër.
Sipas “BalkanWeb”, mbi makinën e Pllanajt, janë zbrazur mbi 120 plumba automatiku. E 20 prej tyre ranë në trupin e tij, duke e lënë atë të vdekur në vend.
Kjo është një prej vrasjeve më të mirëorganizuara në Shkodër.
Pllanaj i njohur me nofkën “Kumbari” është qëlluar pak pasi kishte hipur në makina e tij “Range Rover”.
Sipas “News 24”, një makinë tip “Pasat”, me targa italiane, ka pritur poshtë shtëpisë së tij në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik.
Ai sapo ka hipur në mjet, pas pak metrash është qëlluar me breshëri automatiku rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme.
Autorët e kanë qëlluar makinën në ecje duke e ndjekur për rreth 150 metra dhe duke mos e lënë që të lëvizë.
Pasi Pllanaj ka humbur kontrollin e mjetit nga plumbat që ka marrë në trup, makina është përplasur në oborrin e një pike ndërtimi, duke përfunduar aty. Autorët kanë qëlluar përsëri në drejtim të tij, duke u siguruar se ai ka vdekur.
Pak më vonë, pranë vendit të ngjarjes është gjetur një makinë e djegur tip ‘Volkswagen Passat’ me targa italiane. Brenda saj janë gjetur dy armë që dyshohet se i përkasin autorit/ëve dhe janë përdorur në vrasjen e Pllanajt.
Bardhok Pllanaj njihej si një prej personazheve të fortë në Shkodër, i cili disa herë ka pasur probleme me drejtësinë.
E gjitha mendohet se kjo vrasje është bërë për “larje hesapesh”, pasi ai dyshohet si trafikant droge.
Pllanaj është arrestuar në vitin 2018 ndërsa në vitin 2014, i shpëtoi policisë pasi u fsheh në makinën e Mark Frrokut, asokohe ish-deputet i Partisë Socialiste edhe pse ky i fundit e ka mohuar këtë gjë.
Në vitin 2018 me vendi gjykate atij iu sekuestrua një pallat dhjetëkatësh në Shkodër me vlerë mbi 2 milionë euro.