Është zbuluar identiteti i shqiptarit, i cili i shpëtoi një atentati me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Kato Achaia. Ai është Fatmir (Emil) Backa, 43 vjeç nga Tirana, por banues në qytetin Kato Achaia
Sipas informacioneve të protothema.gr, gjithçka ka ndodhur rreth orës 23:30, kur 43-vjeçari nga Shqipëria po kthehej në shtëpinë e tij. Sapo ka zbritur nga mjeti dhe i është afruar murit rrethues të banesës, atij i është afruar një makinë e zezë tip “Citroen”. Nga xhami ka nxjerrë dorën një i panjohur dhe e ka qëlluar 3 herë me armë zjarri tip pistoletë 9mm, më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Prej plumbave, Backa mori plagë të rënda në bel, madje një prej gëzhojave i ka mbetur në trup, por mjekët thonë se për momentin ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht ai ndodhet në spitalin universitar të Patrës, ku mbahet në reanimacion në pritje të një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e plumbit.
Sipas informacioneve, 43-vjeçari kishte dalë pak kohë më parë nga burgu pasi ishte dënuar për lëndë narkotike, ndaj edhe mendohet se shkaku për atentatin e planifikuar ndaj tij është lufta mes bandave të drogës. Ai është liruar nga burgu famëkeq i Korridhalosit, ku mbahej për trafik narkotikësh, në mars të 2023 dhe dyshohet se ende vazhdon trafikun e narkotikëve në zonë. Ndërsa pritet që Policia të marrë dëshminë e shqiptarit të plagosur, puna vazhdon për kapjen e autorit.