Aktualitet “U qëlluam sapo dolëm nga një lokal”, zbardhen detaje mbi vrasjen e...

“U qëlluam sapo dolëm nga një lokal”, zbardhen detaje mbi vrasjen e Fatjon Dervishit në Durrës

Fatjon Dervishi u ekzekutua me armë zjarri pak pas mesnatës në Katund të Sukthit. Gazetarja Enkeleda Arapi ka mësuar se Dervishi ka marrë dy plumba në organet jetësore.

Autorët kanë qëlluar mbi mjetin e tij të paktën 15 plumba. Sipas të njëjtave burime, në momentin e krimit, viktima ka qenë së bashku me një mikun e tij në makinë, i cili ka shpëtuar i palënduar.

Ai ka dëshmuar se ndaj tyre është qëlluar sapo kanë dalë nga një lokal nate.

“Dinamika e ngjarjes sipas policisë mbetet pak e vështirë për t’u zbuluar pasi nuk ka pasur shumë dëshmitarë në vendngjarje. Ajo çka shoku i vet i viktimës ka deklaruar, ka pohuar se po ktheheshin nga një lokal për të shkuar në shtëpitë e tyre, kur befas në rrugë persona të paidentifikuar kanë nisur të qëllojnë kundër tyre. Gjithçka ka ndodhur brenda pak sekondave dhe për shkak të errësirës e ka pasur të pamundur të shquajë personat që kanë marrë pjesë në atentat”, raportoi gazetarja.

Fatjon Dervishi është nipi i një personazhi të njohur në zonën e Sukthit. 38-vjeçari u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve.

Deri më tani nuk dihet se kush janë autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Fatjon Dervishi nuk rezulton të jetë person me precedentë të tjerë penalë./Tv Klan