Bota U rrëmbye 11 vjeçe nga Shteti Islamik, lirohet pas 10 vitesh vajza...

U rrëmbye 11 vjeçe nga Shteti Islamik, lirohet pas 10 vitesh vajza irakene në Gaza (VIDEO)

Një 21-vjeçare e rrëmbyer nga militantët e Shtetit Islamik në Irak më shumë se një dekadë më parë është liruar nga Gaza në një operacion të udhëhequr nga SHBA. Operacioni i zhvilluar gjatë kësaj jave përfshiu gjithashtu Izraelin, Jordaninë dhe Irakun.

21-vjeçarja është një anëtare e pakicës fetare Yazidi dhe është identifikuar si Fauzia Amin Shido. Silwan Sinjari, shefi i shtabit të ministrit të jashtëm irakien, tha se ajo u lirua pas më shumë se 4 muaj përpjekjesh, disa prej të cilave dështuan për shkak të situatës së vështirë të sigurisë në Gaza.

Zyrtarët irakenë kishin qenë në kontakt me vajzën për muaj të tërë dhe ua dhanë informacionin e saj zyrtarëve amerikanë, të cilët organizuan lirim e saj nga Gaza me ndihmën e Izraelit. Drejtori i zyrës së diplomacisë dixhitale në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, David Saranga, postoi pamjet në aplikacionin X.

Vajza u rrëmbye nga ISIS në Irak dhe u dërgua në Gaza në moshën 11-vjeçare. Rrëmbyesi i vajzës ishte vrarë gjatë luftës në Gaza, ndoshta nga një sulm izraelit, dhe më pas ajo iku në një strehë refugjatësh. E reja tashmë është ribashkuar me familjen e saj në Irakun verior.

Më shumë se 6 000 yazidi u kapën nga luftëtarët e Shtetit Islamik në rajonin Sinjar të Irakut në vitin 2014.

Shumë prej tyre u shitën si skllevër seksualë ose u trajnuan si fëmijë ushtarë dhe u dërguan përtej kufijve, duke përfshirë Turqinë dhe Sirinë.

Gjatë viteve të fundit, më shumë se 3 500 prej tyre janë shpëtuar ose liruar ndërsa rreth 2 600 persona mbeten të zhdukur.

Yazidi janë një grup fetar kurdfolës me origjinë indigjene në Kurdistan – një rajon gjeografik që përfshin pjesë të Irakut, Sirisë, Turqisë dhe Iranit.