Dy orë pas arrestimit te Kthesa e Kamzës në kryeqytet dhe pasi është njohur me masën e sigurisë, ish-Presidenti Ilir Meta ka lënë ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës për t’u transferuar në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza”.
Avokati mbrojtës i Ilir Metës, Genci Gjokutaj zbuloi për mediat detaje nga takimi me ish-Presidentin në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Ai tha se “një takim si çdo herë tjetër vetëm në një ambient ndryshe”, ndërsa e cilësoi ndalimin e Metës si “banditesk”.
Sipas Gjokutajt, kreu i PL është “rrëmbyer në rrugë”, edhe pse s’ka pasur asnjëherë “asnjë lloj problemi për ta thirrur në SPAK”.
“Është i vendosur të përballet me procesin dhe çdo gjë që është shkruar në këtë vendim. Është krejt i qartë për çfarë bëhet fjalë dhe është gati për të bërë mbrojtjen për akuzat që nuk kanë lidhje me të”, u shpreh avokati Gjokutaj.
Në vijim, avokati i Metës e ka konsideruar arrestimin e klientit të tij si një goditje politike dhe për këtë akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani dhe kryeministrin Edi Rama.
“Unë isha në takim me zotin Meta. Ai ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk që i është bërë në rrugë, me një sjellje tejet jo ligjore. Kjo histori ndodh me një person që ka qenë disa herë në SPAK dhe ka dhënë shpjegime me çfarë e kanë pyetur dhe kjo çështje ka 5 vjet. Domethënë këto rrethana që këta mendojnë sot për të goditur me arrest kanë 5 vjet që janë nëpër duart e prokurorëve. Momenti është politik, këtu është dyshja Rama-Dumani, dhe me ndihmë e mashave, ish-bashkëpunëtorëve të Ilir Metës që kanë formuar një vendim të cilin sapo e kemi marrë”, deklaroi Gjokutaj.