Bota “U rrit me fasulet e mia”… Në tregun “komunist”, bastionin e së...

“U rrit me fasulet e mia”… Në tregun “komunist”, bastionin e së majtës ku u rrit Giorgia Meloni

Për 40 vite, Anna Maria Tortora, ka shitur domate dhe kastravecë te klientët e saj besnikë në shitoren e saj të vogël në periferi të Romës. Ajo nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se vajza e vogël, që dikur mbante radhën duke i shtrënguar fort dorën gjyshit të saj, do të arrinte të fitonte zgjedhjet e përgjithshme në Itali.

“Ai ishte burrë i mrekullueshëm”, thotë ajo në një reportazh të BBC për Giorgia Melonin, atë që mund të bëhet kryeministrja e parë e Italisë. “E donte shumë mbesën e tij”. Anna Maria është krenare për arritjen e Melonit. “E kam rritur unë me fasulet e mia. Ushqehej mirë dhe u rrit mirë”.

Anna Maria në dyqanin e saj, me perimet e së cilës u rrit Giorgia Meloni

Tregu Garbatella shërben si pikë grumbullimi për lagjen jugore të Romës, ku shumica e banorëve janë të klasës punëtore dhe tradicionalisht zona ka qenë bastion i së majtës. “Ajo nuk përfaqëson këtë zonë, që historikisht ka qenë e kuqe”, thotë Marta, një shitëse në treg. “Unë jam antifashiste e flaktë. Nëse merr detyrën, do të nisë një periudhë e shëmtuar”.

Etiketën e fashistes, Meloni e refuzon me forcë. Në disa dalje në media, ajo thotë se ideologjia i përket së shkuarës. Por e shkuara është pjesë e problemit, në një shtet si Italia, ku nuk ka ndodhur denazifikimi si në Gjermani. Përtej Adriatikut, partitë fashiste janë lejuar të formohen dhe nga një prej tyre, Lëvizja Sociale Italiane, doli edhe Meloni. “Partia e saj nuk është fashiste”, thotë për BBC Gianluca Passarelli, profesor i shkencave politike në “La Sapienza”. “Fashizëm do të thotë që të marrësh pushtetin dhe të shkatërrosh sistemin. Ajo nuk do këtë dhe as nuk mund ta bëjë”.

E lindur në Romë, ajo ishte vetëm 4 vjeç kur babai i saj, Francesco, u largua në Ishujt Kanarie, duke e braktisur atë dhe të ëmën. i ati ishte me prirje të majta, e ëma, Anna, e djathtë. Shumë mendojnë se pikërisht dëshira për t’u hakmarrë ndaj babait e bëri që të përqafonte idetë e ekstremit të djathtë. Pasi familja u transferua në Garbatella, për të qëndruar më pranë gjyshërve, në moshën 15-vjeçare iu bashkua Frontit Rinor, duke marrë më vonë drejtimin e organizatës.

Giorgia Meloni dhe Kryeministri hungarez Viktor Orban, shihen si “aleanca” anti-BE.

“Meloni nuk është rrezik për demokracinë, por rrezik për Bashkimin Europian”, thotë Passarelli. “Ajo është në të njëjtën “skuadër” me Marine le Pen dhe Viktor Orban. Ajo dëshiron që Europën e kombeve, ku praktikisht të gjithë janë më vete”.