Deputetët e Partisë Demokratike Dhurata Çupi Tyli dhe Dashnor Sula dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese padinë për bordin e çmimeve të karburanteve.
Deputetja Dhurata Çupi tha se Bordi i ngritur për të mbajtur në kontroll çmimin, u shndërrua shumë shpejt në Klubin e Oligarkëve, ku vetë oligarkët e naftës në përbërje të Bordit caktonin edhe çmimin.
“Është fakt që Bordi me veprimtarinë e tij po cenon konkurrencën në treg, që sjell ulje të çmimit, si dhe lirinë ekonomike, që mbron të drejtat e konsumatorëve. Me miratimin e këtyre dy ligjeve Qeveria në vend që të bënte atë që ka bërë çdo qeveri në botë, të mbronte interesin e qytetarëve, të drejtat e konsumatorëve, në fakt zyrtarizoi Klubin e oligarkëve dhe i dha liri të plotë që me marrëveshje me njëri tjetrin të caktojnë çmimin e naftës, gazit dhe benzinës. Çdo qytetar ka parë sesi tallet vazhdimisht Klubi i Oligarkëve, që sa herë qytetarët reagojnë e ul çmimin me 2 lekë, dhe të nesërmen e rrit me 12 lekë. Ngritja e Bordit po dëmton interesin e qytetarëve. Ligjet bien ndesh me Kushtetutën, cenojnë lirinë ekonomike, cenojnë konkurrencën në treg, thellojnë më shumë varfërinë tek qytetarët, vjedhin edhe më shumë qytetarët”, tha deputetja e PD.