Pak kohë pasi u shoqërua nga policia, pasi u konstatua pa maskë dhe kundërshtoi efektivët e policisë, ish-deputeti Kastriot Islami reagoi me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Jam në shtëpi…! Si çdo ditë, po bëja ecjen e përditshme me veshje sportive nga parku i Tiranës në drejtim të shtëpisë… Gjykoj se ishte Edi Rama që më ndaloi dhe forcërisht, më izoloi në komisariat për rreth 1 orë e 30 minuta… Sepse ju prezantova që jam Kastriot Islami dhe përsëri përdorën forcën ndaj një profesori dhe një figure publike…! Më shumë ndoshta do të sqaroj në vijim… Falenderoj të gjithë ata miq që më mbështetën me telefonata dhe mesazhe”, shkruan ai.
Më herët, burime të policisë sqaruan se gjatë kontrolleve për zbatimin e masave anticovid, Islami ishte konstatuar pa maskë dhe kishte kundërshtuar e fyer punonjësit e policisë, kur këta të fundit i kërkuan kartën e identitetit dhe të vinte maskën.
Në këto kushte, policia thotë se e shoqëroi ish-deputetin në komisariat, për veprime të mëtejshme.