Një infermiere në Britaninë e Madhe u dënua me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht pasi u shpall fajtore për vrasjen e 7 foshnjave dhe tentativën për të vrarë 6 të tjera në një spital në Mbretërinë e Bashkuar.
Vendimi i Gjykatës së Mançesterit do të thotë se 33-vjeçarja Lucy Letby nuk do të mund të dalë kurrë nga qelia. Ajo nuk pranoi të shfaqej në sallën e gjyqit për të dëgjuar dënimin, veprim që solli reagime të shumta dhe kërkesën për ndryshimin e ligjit që kjo të bëhet e detyrueshme.
Ajo u shpall të premten fajtore për vrasjen e foshnjave disa vite më parë, një çështje që shkaktoi reagim të madh në Britaninë e Madhe.
“Kjo ishte një fushatë e llogaritur, katile dhe cinike e vrasjes së foshnjave, ku u përfshinë grupmosha më e brishtë”, tha gjyqtari James Goss gjatë shpjegimit të vendimit të tij.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha të hënën se po shikonte mundësinë e ndryshimeve ligjore, në mënyrë që të akuzuarit të mos i shmangeshin përballjes me gjykatën dhe të afërmit e viktimave në sallën e gjyqit.
Letby i vrau foshnjat duke u injektuar ajër në gjak dhe stomak, duke u dhënë më shumë qumësht se sa nevojitej, duke i keqtrajtuar fizikisht dhe duke u injektuar insulinë. Ajo sulmoi 13 foshnja në vitet 2015-2016 dhe mashtronte kolegët duke u thënë se vdekja ishte për shkaqe natyrale.