Një i ri në Tiranë është vënë në pranga pas disa muajsh hetime për goditjen e mashtrimit kompjuterik.
Bëhet e ditur se njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas kallëzimeve të marra nga disa shqiptarë të Kosovës për vjedhjen e llogarive të tyre në rrjetet sociale ka organizuar operacionin e koduar policor “Account”.
Si rezultat i këtij operacioni është kapur 28-vjeçari L. P., banues në Tiranë dhe është ekzekutuar masa së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Dyshohet se i riu, në bashkëpunim me persona të tjerë ka vjedhur llogari të qytetarëve të ndryshëm në Kosovë, në rrjetin social Facebook dhe më pas ka komunikuar me familjarët dhe të afërmit e tyre duke u kërkuar para borxh.
Ai u ka thënë se ishte në spital ose se i duheshin paratë për arsye të tjera.
Pasi kanë marrë mesazhet në rrjetet sociale, familjarët dhe të afërmit kanë dërguar shumat e parave me anë të rrjetit të transfertave monetare. Shuma e përfituar prej tij deri në momentin e arrestimit ka qenë mbi 100 000 euro.
Ndërkohë, në cilësinë e provës janë sekuestruar 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara nga filialet e rrjetit të transfertave monetare, pas tërheqjes së shumave monetare nga 28-vjeçari.