Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, pas kallëzimit nga një shtetas, për vjedhjen e automjetit të tij “Range Rover” nga parkingu i aeroportit “Nënë Tereza”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, kanë organizuar punën për zbardhjen e vjedhjes së këtij automjeti.
Nga veprimet hetimore është bërë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar të vjedhjes së automjetit tip “Range Rover”, shtetasve E. M., 36 vjeç dhe B. H., 42 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta dy shtetas dyshohen se në orët e para të datës 07.06.2023, kanë vjedhur automjetin tip “Range Rover”, të cilin shtetasi Ç. A. e kishte parkuar në parkingun e aeroportit, dhe më pas kanë përdorur pajisje të ndryshme për bllokimin e GPS-së së automjetit.
Si rezultat i kontrolleve është bërë e mundur edhe gjetja në garazhdin e një pallati, në Astir, e automjetit të vjedhur, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pajisjet e përdorura për bllokimin e GPS-së së automjetit dhe sende të tjera të përdorura për hapjen e automjetit.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj vjedhjeve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.