Aktualitet U vodhën 7 mln euro gjermanëve nëpërmjet Call Center, SPAK çon për...

U vodhën 7 mln euro gjermanëve nëpërmjet Call Center, SPAK çon për gjykim 13 persona

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen për 13 persona, të akuzuar për mashtrime kompjuterike e grup i strukturuar kriminal. Nëpërmjet Call Center-it “Blu Energy Call”, që e ushtronte aktivitetin në Tiranë nga viti 2018, ata kanë mashtruar me qindra qytetarë gjermanë dhe të vendeve të tjera të BE.

Organizatori i grupit rezulton Erion Kasmi, administrator i Call Center-it.

Punonjësit përdorin dy platformat “BrokerZ” dhe “Globalix”, për të zhvilluar aktivitetin e tyre dyshohet se kanë mashtruar dhjetëra shtetas duke u marrë atyre rreth 7 milionë euro.

Ata ftonin qytetarët e huaj të investonin në bursa ndërkombëtare. Paratë depozitoheshin sipas udhëzimeve të agjentëve të Call Center në platformat mashtruese. Rezulton nga hetimi se depozitat gjendeshin në banka të ndryshme si në Bullgari, Lituani, Poloni e Qipro. Më pas ato zhdukeshin nëpërmjet transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Nga hetimi është provuar se një pjesë e këtyre parave përfunduan në llogaritë e të pandehurve në Shqipëri.

Erjon Kasmi i janë sekuestruar rreth 580 mijë euro dhe 19 milionë lekë në llogaritë e tij. Në një bankë të Kosovës atij iu sekuestrua vlera 1 milionë e 500 mijë euro.

Në total të akuzuarve iu janë sekuestruar 19 pasuri të paluajtshme prej të cilave 9 apartamente, 3 garazhe, 1 ndërtesë, sipërfaqe 3100 m2, truall 2750 m2 dhe një ndërtesë 750 m2.

Hetimet për këtë grup kriminal nisen në Gjermani. Sipas burimeve, autoritetet atje të drejtësisë u vunë në lëvizje nga një person i cili ka bërë një kallëzim duke theksuar se është mashtruar për të investuar në bursa, por më pas parat e tij ishin zhdukur. Iu kërkua SPAK nëpërmjet letërporosisë të nisë hetimet duke e vënë në dijeni për skemën se si funksiononte Call Center-i.