Arthur Melo u transferua me bujë te Juventusi verën e 2020-ës, megjithatë deri tani aventura e tij me fanellën bardhezi mund të quhet e dështuar, pasi nuk ia ka dalë të shndërrohet në titullar, as me Pirlon në pankinë dhe as me Allegrin.
Braziliani la pas dëmtimin dhe luajti titullar në mesjavë në Ligën e Kampionëve, por në fundjavë në kampionat do të përfundojë sërish në tribunë, pasi Allegri ka vendosur të mos e grumbullojë për transfertën ndaj Venezias.
Shkak është bërë paraqitja e tij me vonesë në një seancë stërvitore dhe tekniku bardhezi e ka bërë të qartë rregulloren për të gjithë, që është një ndeshje pezullim në raste të tilla dhe kësaj nuk i ka shpëtuar as Arthur.
Mungesa e tij komplikon disi planet e Allegrit, pasi nuk do të ketë në dispozicion as amerikanin McKennie dhe uellsianin Aaron Ramsey, të cilët nuk janë rikuperuar plotësisht nga dëmtimet e tyre dhe nuk do të udhëtojnë drejt Venezias.
“Arthur erdhi me vonesë në stërvitje dhe ndaj Venezias nuk do të jetë. Janë gjëra që ndodhin dhe natyrisht që do të rikthehet për ndeshjen e radhës të martën. Nuk do të jenë as McKennie dhe Ramsey, të cilët nuk janë rikuperuar plotësisht”, u shpreh Allegri.
Më pas, trajneri bardhezi u ndal te Bernardeschi dhe Dybala: “Bernardeschi në mënyrë paradoksale luan më mirë në të majtë. Dybala? Ai është mirë, i disponueshëm dhe gati për të luajtur. Nuk e kemi marrë parasysh hipotezën e huazimit për Kaio Jorge, sepse do të gjejë hapësirën e tij”.
Disa fjalë edhe për vendin e parë në grupin e Champions-it: “Kjo arritje në fazën e grupeve është një kënaqësi, por tani duhet të mendojmë vetëm për kampionatin, për t’i dhënë stabilitet klasifikimit. Na vjen keq për Milanin dhe Atalantën, do të ishte mirë të kualifikoheshim katër skuadra italiane në raundin e dytë”.