Vëllai i Marsel Çelës, një prej viktimave të pafajshme të atentatit që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, është i shokuar nga ngjarja, ndërsa paralajmëron vetëgjyqësi.
Ai thotë se vrasja e vëllait të tij 47-vjeçar, teksa konsumonte një kafe një lokal, ka qenë një ‘thikë pas shpine’.
I dërrmuar nga humbja e njeriut të tij të dashur, ai kërkon kapjen e autorëve dhe vënien e drejtësisë për ekzekutimin e 47-vjeçarit.
“Vëllai im është i pafajshëm. Doli të pinte kafe. Shikonte punën e tij. Punonte në Vlorë. La pas dy prindër të moshuar e të sëmurë. Shteti të verë dorë. Të gjejë një orë e më parë autorët”.
Në një intervistë për TCH, vëllai i 47-vjeçarit paralajmëroi vetëdrejtësi, nëse autorët nuk kapen.
“Po nuk i gjeti, do na detyrojë të vemë një shirit në krah e ta zgjidhim vetë. Flasim për dy jetë të pafajshme. As kamarieri s’ka asnjë faj. Punonte për bukën e gojës”, ka thënë vëllai i Çelës.
Marsel Çela, 47 vjeç dhe Gledi Muka, 36 vjeç, mbrëmjen e djeshme mbetën viktima të breshërisë së plumbave në Memaliaj, që kishin objektiv vrasjen e Shyqyri Kalemit.
Çela ka qenë duke konsumuar kafe në lokalin pranë shtëpisë së tij, ndërsa Gledi Muka, ishte në fundin e një dite të lodhshme në punë, pasi ishte kamarier në biznesin ku ndodhi masakra me armë.