Menjëherë pas mbarimit të numërimit, Vangjel Tavo tha se sot fitoi Himara. Ai falenderoi banorët që e votuan për vazhdimësinë e mandatit të PS-së nga 2023.
“Sot fitoi Himara, fituan himariotët. Dua të falenderoj banorët për durimin që patën të na dëgjonin gjatë fushatës elektorale dhe për besimin që patën duke na votuar në mënyrë plebishitare dhe duke na besuar vazhdimësinë e mandatit 2023. Që sot fillojmë punën për të gjithë ato që u kemi premtuar banorëve. Që sot të bashkuar të gjithë, të majtë e të djathtë. Problemet nuk kanë ngjyrë, Himara nuk ka ngjyrë. Të gjithë për Himarën e bashkuar, pa probleme e pa kriza. Të gjithë për bashkëjetesën, të gjithë për të bashkuar të gjithë realitetet që ekzistojnë në këtë bashki”, tha ai.
Tavo u shpreh se e priste një rezultat të tillë.
“Pikë së pari do vazhdojmë punën që vazhdon puna për turizmin. Krahas turizmit do të merrem me të gjitha problemet që kanë shprehur qytetarët gjatë kësaj fushate”, shtoi kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Himarës.
Madje ai theksoi se qëndron oferta që kandidati i opozitës që humbi zgjedhjet të qëndrojë nënkryetar.
“Oferta ka qenë e sinqertë. Zoti Gjikuria, nëse nuk do të largohet për në Amerikë është i mikpritur të jetë nënkryetar i Bashkisë sikurse theksova pak më përpara. Bashkia i ka nevojë për të gjithë, të majtë e të djathtë. Problemet nuk kanë ngjyrë. Nëse zoti Gjikuria rikthehet në Amerikë, atëherë ka shumë kërkesa nga ana e opozitës që kam patur. Do të vazhdojmë punën, festë nuk ka, mos prisni. PS ka shumë elemente që mund të fitonin në Himarë. Unë jam një socialist që në orët e para. Nuk na votuan vetëm socialistët”, tha Tavo.