Edhe pse u përzgjodh nga Këshilli i Lartë i prokurorisë si Prokuror i Prokurorisë së Posaçme, Ndini Tavani nuk ka mundur të marrë dot detyrën.
Shkak është bërë komisioni i SPAK i cili nuk e ka “certifikuar” për rrethana që nuk dihen.
Në njoftimin e KLP mbi rendin e ditës thuhet se do të merret vendimi për moscaktimin e tij si anëtar në Prokurorinë e Posaçme.
Në vend të tij KLP ka futur në listë, prokurorin Bledar Maksuti i renditur pas Ndini Tavanit kur u hap gara për 3 vendet vakante.
Në mbledhjen që pritet të mbajë ditën e nesërme, pritet që KLP të emërojë në SPAK edhe prokuroren Anita Jella.
Ndërkohë që pritet të pezullohet nga detyra drejtuesi i prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, i arrestuar mëngjesin e së hënës nga SPAK.
Rendi i ditës për seancën e KLP ditën e mërkurë:
Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për emërimin në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të zonjës Anita Jella”;
Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për moscaktimin në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të zotit Ndini Tavani”;
Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për emërimin në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të zotit Bledar Maksuti”;
Diskutimi / miratimi i projektaktit “Për pezullimin nga detyra të prokurorit Aurel Zarka”.