Një 47-vjeçar shqiptar që u zhduk të dielën e kaluar nga banesa e tij pas një debati të ashpër me bashkëshorten, është gjetur i pajetë pranë një liqeni, në Ascolano të Italisë.
Trupi i pajetë i Lorenc Ferrajt, i cili ishte i punësuar si shofer kamioni, është gjetur në liqenin Gerosa, tre ditë pasi humbi gjurmët.
Policia mori raportime për zhdukjen e tij më 1 nëntor dhe i përqendroi kërkimet në Montegallo, pikërisht midis fshatrave Uscerno, Meschia dhe Propezzano, në provincën Ascoli Piceno.
Për operacionin e kërkim-shpëtimit u mobilizuan karabinierët, Brigada e Zjarrfikësve, Shpëtimit Alpin dhe Mbrojtjes Civile.
Po ashtu u shfrytëzua ndihma e qeneve dhe një droni të pajisur me kamera termike, të cilët “krehën” pyjet e dendur dhe shkëmbinjtë.
Vetëm mëngjesin e sotëm furgoni me trupin e pajetë të shqiptarit u gjet pranë liqenit Gerosa.