Kina ka reaguar ashpër pas mbërritjes së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi këtë të martë në Tajvan.
Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme kineze tha se vizita e Pelosit cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës.
“Kjo është një shkelje serioze e parimit të Kinës dhe dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA. Ajo ka një ndikim të rëndë në themelin politik të marrëdhënieve Kinë-SHBA dhe cënon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, thuhet në deklaratë.
Vizita e Pelosit në Tajvan, e cila nuk mbështetet nga Shtëpia e Bardhë, është e para nga një zyrtar i lartë amerikan në dekada.
Kina ka paralajmëruar vazhdimisht kundër vizitës dhe të martën tha se SHBA do të “paguajë çmimin”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying theksoi se Kina kishte qenë në komunikim me SHBA-në për ndjeshmërinë e vizitës.
“Pala amerikane do të mbajë përgjegjësinë dhe do të paguajë çmimin për minimin e interesave të sigurisë sovrane të Kinës”, u shpreh ajo.
Ditën e sotme, Kina dërgoi avionë luftarakë deri në vijën ndarëse informale midis kontinentit kinez dhe Tajvanit.