Politika Udhëheqësit shqiptarë mesazhe ngushëllimi Austrisë për sulmin terrorist

Udhëheqësit shqiptarë mesazhe ngushëllimi Austrisë për sulmin terrorist

Udhëheqësit politik shqiptarë drejtuan mesazhe ngushëllimi dhe mbështetjeje ndaj Austrisë pas sulmit terrorist që tronditi Vjenën mbrëmjen e së hënës.

Presidenti Ilir Meta e cilësoi “lajm të tmerrshëm” sulmi në kryeqytetin austriak. Ai u përcolli ngushëllime familjeve të viktimave dhe theksoi se Shqipëria i qëndronte krah Austrisë.

“Qëndrojmë me vendosmëri krah Austrisë dhe partnerëve tanë ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit,” – shkroi Presidenti në Twitter.

Kryeministri Edi Rama u shpreh i pikëlluar nga sulmi terrorist në Vjenë, që sipas tij tronditi “zemrën e Evropës”.

“Lutjet dhe mendimet tona janë për viktimat dhe familjet e tyre. Vlerat tona të përbashkëta do qëndrojnë gjithmonë fort më shumë se çdo dhunë ekstremizmi. I qëndrojmë me vendosmëri krah Austrisë,” – shkroi në Twitter Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, “e dënoi ashpër sulmin” ndaj “jetëve të pafajshme në Vjenë”.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave.  Shqipëria qëndron fort në solidaritet me popullin dhe autoritetet austriake,” – u shpreh Basha në Twitter.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi përcolli gjithashtu mesazh për sulmin terrorist. Ruçi tha se cilatdo qofshin motivet e këtij sulmi, “ato tregojnë se qytetërimi është ende i kërcënuar nga barbaria” dhe se “përpjekjet e njerëzimit për tolerancë, paqe dhe siguri vazhdojnë të sfidohen nga impulset e errëta”.