E vënë në qendër të akuzave se ka udhëtuar me makinën e Habilajve 3 vjet më parë, ish-zëvendësministrja e Brendshme, kërkon të përballet me prokurorinë.
Ashtu sikurse Saimir Tahiri, edhe Elona Gjebrea ka kërkuar vullnetarisht të paraqitet në organin e akuzës, në funksion të hetimit të çelur ndaj ish-ministrit të Brendshëm, raporton ballkanweb.
Ky veprim lidhet mesa duket me dyshimet e ngritura nga prokuroria, se verën e vitit 2014, bashkë me Saimir Tahirin dhe familjet e tyre kanë udhëtuar me makinën e Habilajve, nga Greqia në drejtim të Shqipërisë.
Burime pranë organit të akuzës thanë se deputetja Gjebrea iu ka dërguar një memo, përmes së cilës kërkon t’i caktohet një takim për të sqaruar pozicionin e saj në këtë histori.
Dyshimet lindën pas gjurmimit në sistemin TIMS, ku rezulton se me datë 8 gusht 2018, Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea, kanë udhëtuar në drejtim të Greqisë, nëpërmjet portit të Sarandës.
Tetë ditë më vonë, me 16 gusht, në harkun kohor të tre katër minutave, ministri dhe zëvendësja e saj, kanë hyrë në territorin shqiptar, përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Botës.
Deputetja e Partisë Socialiste, gruaja që kryesoi listën e Tiranës në zgjedhjet e 2017, pret një konfirmim nga organi i akuzës, lidhur me datën dhe orën, se kur mund të paraqitet të japë shpjegime për të sqaruar pozicionin e saj. Deri më tani, Gjebrea i ka cilësuar sajesa akuzat se ka udhëtuar me makinën e Habilajve, por para prokurorëve, pritet të shpjegojë të gjithë itinerarin e udhëtimit të kryer drejt Greqisë, gushtin e 2014.
Burimet thanë se ende nuk është caktuar një datë, por me gjasë brenda kësaj jave, ish-zëvendësministrja e Brendshme Gjebrea do të përballet me prokurorët.
Këta të fundit, ende nuk kanë vendosur se kur do të thërrasin ish-ministrin Tahiri për ta marrë në pyetje, pasi janë duke studiuar dosjen voluminoze e mbërritur nga Antimafia Italiane.