UEFA ka gjobitur për shkelje të Fair Play Financiar tetë klube, duke përfshirë Milanin, Interin, Juventusin, Romën dhe PSG, por ka falur Napolin, Lazion, Barcelonën, Manchester City dhe Chelsea duke cituar si arsye “Covidi-in”.
Një deklaratë e lëshuar nga UEFA konfirmon se tetë klubet e gjobitura kanë rënë dakord që të paguajnë në total një gjobë prej 172 mln euro, të cilat do të mbahen nga të ardhurat që këto klube fitojnë nga pjesëmarrja në garat e klubeve të UEFA-s.
Megjithatë, vetëm 26 milionë euro nga kjo shifër duhet të paguhen plotësisht, ndërsa pjesa e mbetur është kusht i bazuar në pajtueshmërinë me objektivat e deklaruara në marrëveshjet e tyre individuale të shlyerjes së detyrimeve.
Kjo do të thotë se Milanit i është kërkuar të paguajë 2 milionë euro nga 15 milionë euro në total, Juventusi duhet të paguajë 3,5 milionë euro nga 23 milionë euro në total, Interi 4 milionë euro nga totali prej 26 milionë eurosh dhe Roma duhet të paguajë 5 milionë euro nga 35 mln euro gjobë.
Gjoba më e madhe shkon për Paris Saint-Germain, i cili duhet të paguajë 10 milionë euro tani, me 65 milionë euro të mbuluara nga marrëveshja e zgjidhjes së përplasjes.
Klubet e tjera të penalizuara janë edhe Monaco, Marseja, dhe Beshiktashi. Juventus dhe Milan kanë një marrëveshje që i detyron të paguajnë gjobat e plota brenda një afati trevjeçar, ndërsa Interi dhe Roma për katër vite.
Kjo do të thotë se Interi dhe Roma do të kenë skuadra të kufizuara në Evropë këtë sezon, me 23 lojtarë në vend të 25.
Napoli, Lazio, Barcelona, Chelsea, Leicester City, Manchester City dhe West Ham United kanë shmangur veprimet për shkak të “zbritjeve të jashtëzakonshme të COVID dhe shqyrtimit të rezultateve financiare historike”, por nga ky sezon klubet do të jenë nën vëzhgimin e rreptë të UEFA-s.