Juventusi nuk do të luajë në Europë gjatë sezonit të ri futbollistik, 2023/2024.
Pas zërave që qarkullonin, UEFA përfundimisht ka vendosur të përjashtojë “Zonjën e Vjetër” për një sezon nga kupat e Europës për shkak të thyerjes së rregullave me fitimet kapitale.
Bardhezinjtë nuk do të jenë pjesë e Ligës së Konferencës, por do të zëvendësohen nga ekipi violë i Fiorentinës.
Përjashtimi nga Europa nuk është i vetmi dënim që do të rëndojë mbi ekipin torinez, pasi Juves do ti duhet të shlyejë një gjobë prej 20 milionë eurosh të vendosur nga UEFA, 10 prej të cilave me kusht.
Në Torino, prej javësh ishin gati të hiqnin dorë nga Europa këtë sezon, një vendim i pranuar me qetësi, duke qenë se nga pikëpamja ekonomike nuk është një humbje serioze.
Nga pikëpamja sportive, i jepet fund aferës së fitimeve kapitale dhe pagave, që e kishte kushtëzuar shumë Juventusin sezonin e kaluar. Skuadra e Allegrit do të përqendrohet kështu në kampionat dhe Kupën e Italisë, duke u përpjekur të ndërpresë një seri dyvjeçare pa trofe