Sport UEFA shantazhon Juventusin: Hapa prapa për Superligën ose përjashtim nga Europa

UEFA shantazhon Juventusin: Hapa prapa për Superligën ose përjashtim nga Europa

UEFA është e surprizuar nga sjellja e drejtuesve të rinj të Juventusit dhe mund ta ndëshkojë klubin bardhezi me një ose më shumë vite përjashtim nga kompeticionet e saj.

Në Nion janë ende duke pritur. Mbi të gjitha, një hap prapa të Juventusit në lidhje me çështjen e Superligës. Këtë hap për momentin drejtusit e rinj të klubit nuk e kanë bërë ende, ndoshta në pritje të vendimit të Trupës së Bashkimit Europian.

Një strategji e rrezikshme, sidomos nëse gjyqtarët e BE-së do të konfirmojnë vizionin e avokatit të BE kohë më parë: një tjetër kompeticion kontinental nuk mund të bëhet bashkë me ata aktualë. Pra, nëse merr pjesë në Superligë, je jashtë Championsit apo kupave të tjera të UEFA-s. Një problem ky për UEFA-n, por edhe për Juventusin, Real Madridin dhe Barcelonën, klubet që mbajnë ende në këmbë projektin e kupës alternative.

Ndryshe nga Juventusi, Barcelona, me anë të presidentit Johan Laporta, po negocion me UEFA-n. Presidenti katalanas ka takuar në Slloveni presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin. Juventusi në fakt po përballet me një situatë ndryshe, por kuptohet që Laporta ka dashur të zbutë raportin me Ceferin, duke folur për Superligën.

Në Torino po flitet për një dialog (në distancë) me Nionin në lidhje me çështjet gjyqësore, por jo konkretisht për Superligën. Ky fakt e ka shtangur edhe vetë Ceferinin.

Në UEFA kanë në duar mijëra faqe të hetimit ‘Prisma’ të Prokurorisë së Torinos. Është një hetim autonom nga ai italian dhe në qershor pritet një vendim. Diskutohet, nëse të ashtuquajturat plusvalenca fiktive dhe manovra e pagave janë shkelje e principeve të sportivitetit. Duhet kujtuar se Juventusi kishte një akord me Nionin për ‘settlement agreement’, duke paguar një gjobë prej 3.5 milionë eurosh nga 19 të parashikuara.

Por, nëse ky akord është bazuar në deklarime kontabël false, do të thotë telashe të mëdha për Juventusin. Hipoteza është për një ose më shumë vjet përjashtim nga kompeticionet europiane. Prandaj Ceferin dhe UEFA janë të surprizuar nga qëndrimi pasiv i drejtuesve të Juventusit dhe po përgatiten për hakmarrje.