Në SHBA është rritur frika nga vizitorët e panjohur, kurse një ekspozitë në Gjermani analizon një vizitë UFO-sh në shekullin e 16-të, por DW hedh një vështrim në ndikimin e jashtëtokësorëve në kulturën popullore.
Ngjarja ishte gati surreale: Pak kohë më parë në Kongresin amerikan u zhvillua një seancë e hapur dëgjimi për UFO-t, e cila u shoqërua nga zhurmë e madhe mediash ndërkombëtare. Seanca u mor me pyetjen, nëse vërtet shërbimet sekrete amerikane kanë dekada që merren me objekte fluturuese të paidentifikueshme, që mbledhin objekte që bien nga qielli dhe arkivojnë madje material biologjik jashtëtokësor.
Ndërkohë që spekulimet dhe teoritë e konspiracionit ziejnë, një ekspozitë në Berlin me titull “UFO 1665. Beteja në ajër e Stralsundit” fton këto ditë tifozët e interesuar të alienëve në një vizitë falas të ekspozitës dhe një diskutim idesh në Bibliotekën e Artit në Berlin. Ekspozita i kushtohet një ngjarjeje historike: Në vitin 1665, peshkatarët kanë treguar se kanë parë një betejë që zhvillohej në qiell, në Stralsund të Detit të Veriut. Tufa me zogj që fluturonin në qiell janë kthyer në anije luftarake që kanë pasur në bord figura fantazmë dhe kanë zhvilluar beteja gjëmuese. Kur afër mbrëmjes është shfaqur “një gjë me formë të rrumbullakët si një pjatë”, ata janë larguar. Në bazë të imazheve dhe teksteve, bëhet rikonstruimi i karrierës mediatike të këtij lajmi. Duke shkaktuar kështu, padashur, një lidhje me seancën e dëgjimit në Kongresin amerikan, e cila tematizon modelet dhe strategjitë e komunikimit, të cilat përcaktojnë edhe sot lajmet për objekte të panjohura fluturuese.
Jashtëtokësorët në telajon e kinemasë dhe në radio
Në kulturën popullore UFO-t ka kohë që zënë vend qendror. Komeditë në seri dhe filmat, duke filluar që nga “Mork vom Ork” deri tek “Akte X”, që nga “E.T.” deri tek “Men in Black” si dhe grupet muzikore, që nga Carpenters deri tek Radiohead kanë dhënë prej dekadash idenë se ne njerëzit, nuk jemi vetëm në Univers.
“Mork vom Ork”: Një nga të parët
Në serialin humoristik amerikan, jashtëtokësori Mork merr nga planeti Ork detyrën që të studiojë mënyrën e të sjellurit të njerëzve. Për të bërë këtë, ai shkon në Boulder, Kolorado, ku njihet me studenten e gazetarisë Mindy McConnell, e cila e pranon në shtëpi. Ndërkohë që përpiqet të mësohet me jetën në Tokë dhe përshëndet çdo njeri që takon me një “Nano-Nano”, Mork bie në dashuri me Mindy-n dhe shoqëria kthehet në romancë. Më në fund, ata martohen në pjesën e katërt të serialit, dhe lindin një djalë të cilin e quajnë Mearth. Mork luhet nga aktori amerikan që ka ndërruar jetë, Robin Williams, i cili e bëri jashtëtokësorin simpatik të njohur në gjithë botën. Seriali “Mork vom Ork” është transmetuar nga 1978 deri 1982 nga stacioni televiziv amerikan, ABC.
“Akte X”: Seri kulti e viteve ‘90
David Duchovny dhe Gillian Anderson u bënë të famshëm në vitet 1990-të si Fox Mulder dhe Dana Scully. Dy agjentët e FBI-së bënë të pamundurën për të hetuar rastet e pasqaruara paranormale.
Në hapje të filmit profesionistët e serialeve shoqërojnë skenat e objekteve të paidentifikuara fluturuese me muzikë misterioze, shumë të njohur, dhe më pas vëmendja jonë përqëndrohet tek teoricienti i konspiracive Mulder dhe realistja Scully, që vihen në kërkim të jashtëtokësorëve. Ndërkohë, në shpjegimin me tekst shfaqet fjalia e famshme: “The truth ist out there” (E vërteta ndodhet diku atje jashtë).
E.T. kthehet mbrapsht në shtëpi
Filmi fantastiko shkencor amerikan “E.T. – Jashtëtokësori” u shfaq në kinema në vitin 1982. Skenaristja Melissa Mathison shkruajti historinë. Regjisori i famshëm, Steven Spielberg e vuri historinë e saj në skenën e kinemasë. Një jashtëtokësor zemërbutë ulet në Tokë dhe zbulohet më pas nga një djalë i vogël me emrin Elliot, që luhet nga Henry Thomas. Ata të dy bëhen shokë. Ellioti e merr jashtëtokësorin me vete në shtëpinë e tij, që ndodhet në një vend periferik të Kalifornisë dhe e prezanton me të vëllanë dhe motrën më të vogël, Gertie, që luhet nga Drew Barrymore. Fëmijët fillojnë ta duan shumë E.T. dhe vendosin që ta mbajnë sekret ekzistencën e tij. Por qeveria është në kërkim të tij, dhe përveç kësaj jashtëtokësori i tyre sëmuret. Por me ndihmën e shokëve të tij, E.T. arrin më në fund të marrë rrugën e kthimit në shtëpi.
Filmi bëri bujë të madhe duke e kurorëzuar Spielbergun, si një nga regjisorët më të mirë të Hollivudit.
“Burra në të zezë”: Linja e parë, e fundit dhe e vetme e mbrojtjes
Komedia fantastiko-shkencore “Men in Black”, (Burra në të zezë) me Will Smith dhe Tommy Lee Jones në rolet kryesore, bazohet në një nga librat komikë të publikuara nga Marvel dhe u përgatit për kinematë në vitin 1997, nga regjisori Barry Sonnenfeld.
Agjenti Kay (Tommy Lee Jones) dhe agjenti Jay (Will Smith) punojnë për një institucion shumë të rëndësishëm qeveritar, por jozyrtar, që merret me jashtëtokësorët. Men in Black, shkurt MIB, i japin lejeqëndrim azilkërkuesve që vijnë nga galaksi të tjera dhe kujdesen që ata të mos sillen shumë çuditshëm kur ndodhen në tokë. Alienët ilegalë dëbohen ose eliminohen. Kay dhe Jay bien në gjurmë të terroristëve nga galaksi të tjera, të cilët kanë bërë plane për një sulm kundër dy ambasadorëve të galaksive kundërshtare, që ndodhen aktualisht në qytetin e Nju Jorkut.
Në ndarjen e roleve, Jones nuk ishte zgjedhja e parë për rolin e agjentit shumë serioz, agjentit K, i cili është mentor i agjentit J. Fillimisht studio e filmit donte t’ia jepte rolin Clint Eastwood-it, por më pas dhënia e rolit Tommy Lee Jones doli se ishte vendim shumë i mirë. Pjesa e parë e filmit, që u shfaq në vitin 1997 në kinema, solli shpejt jo vetëm 600 milionë dollar amerikan (550 milionë euro) fitim, por ishte edhe një nga filmat më të vlerësuar të vitit, dhe një hap tjetër për shkallën e karrierës hollevudiane të Smithit.
Ëndrra për një jetë në një botë tjetër
Grupi muzikor britanik Radiohead, nga qyteza Abingdon kishte bërë një farë emri në skenën e muzikës së rokut, kur publikoi në vitin 1997 albumin “OK Computer”. Ky disk i katapultoi ata në stratosferë. Kënga e tyre kult, “Subterranean Homesick Alien”, (Alienë me mall për nëntokën) flet për një njeri që ëndërron të rrëmbehet nga jashtëtokësorët, për t’i shpëtuar mjerimit të Tokës. Këngëtari dhe kompozitori i këngëve të Radiohead, Thom Yorke, shpjegoi se kënga ishte homazh për këngën e Bob Dilanit, “Subterranean Homesick Blues” (Bluz me mall për nëntokën).
Mesazh drejtuar alienëve: “Ne jemi miqtë tuaj”
Megjithëse kënga “Calling Occupants of Interplanetary Craft” (Thirrje për forcat pushtuese ndërplanetare) u publikua fillimisht në vitin 1976 nga grupi muzikor kanadez, Klaatu, versioni i këngës kënduar nga Carpenters u bë më i njohur, duke pasur edhe të bëjë me të kënduarin përshtypjelënës të Karen Carpenters.
Kënga bën thirrje që të përdoret fuqia e mbledhur e shpirtit, për të vendosur kontakt me “banorët e hapësirës ndërplanetare” dhe thotë që në fjalinë e parë se: “Ti duhet ta dish se shpirti yt është i aftë të dërgojë mesazhe telepatike në të panjohurën e madhe.”
Kënga ka edhe një fund të lumtur dhe në fund përfundon me një sepse “ne jemi miqtë tuaj.”/DW