Banorët e Ersekës nuk do të vuajnë më problemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit janë drejt përfundimit dhe vënia e tij në funksion do të sigurojë furnizim të pandërprerë dhe me cilësi për banorët e Ersekës.
Me ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit bëhet e mundur eliminimi i humbjeve dhe ndotjeve, shmangen lidhjet e paligjshme ndërsa projekti parashikon gjithashtu lidhjen e kontratave të reja dhe pajisjen me matësa të të gjithë abonentëve.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin, drejtorin e Përgjithshëm të AKUM, Alqi Bllako dhe kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Ersekës, Erion Isai inspektuan ecurinë e punimeve të kësaj vepre.
“Investimi konsiston në rehabilitimin tërësor të rrjetit të brendshëm i cili pothuajse ka përfunduar dhe tashmë firma kontraktore do të përfundojë dhe lidhjet me familjarët dhe më pas dhe vendosjen e matësave. Gjithashtu pjesë e projektit është dhe rinovimi i depos ekzistuese 500 metër kub si dhe ndërtimi i një depo të re 1 mijë metër kub”, bëri të ditur drejtori Bllako teksa shtoi se është drejt përfundimit edhe projekti për ujësjellësin për banorët e Leskovikut dhe brenda vitit tjetër pritet të nisë puna.
Nga ana e saj, ministrja Belinda Balluku, duke theksuar se nga ky investim do të përfitojnë 7156 banorë, tha se do të vijohet edhe në zona të tjera me realizimin e projekteve të cilat përmirësojnë cilësinë dhe sigurojnë furnizim 24 orë me ujë për qytetarët.
“E rëndësishme është që 7156 banorë të qytetit të Ersekës do të marrin shërbim më të mirë, por do marrin dhe sasi më të madhe të ujit për frymë, çfarë është dhe synimi, dhe një nga strategjitë tona kryesore për përmirësimin e jetës së qytetarëve, që është strategjia e ujit dhe çfarë është më e rëndësishme, rrjeti do jetë një rrjet i ri, modern i cili nuk do të ketë humbje dhe nuk do të ketë ndotje, ashtu siç ndodhte më parë. E gjithë kjo është në vazhdimësinë e projekteve për përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ujit që ne kemi dhe do vazhdojmë jo vetëm në këtë zonë por dhe në zona të tjera dhe me ritme të shpejta”, u shpreh Balluku.
Ndërsa kryebashkiaku i zgjedhur Isai e cilësoi këtë investim të domosdoshëm dhe të nevojshëm për Ersekën. “Patjetër kënaqësi që në fund të tetorit ne do të kemi 24 orë ujë në Kolonjë është premtim i mbajtur dhe një realizim i domosdoshëm dhe i nevojshëm për Ersekën”, deklaroi Erion Isai.
Furnizimi me ujë të pijshëm për banorët e Ersekës ka qenë një shqetësim i trashëguar në vite. Rrjeti aktual, për shkak të amortizimit, ka degraduar duke bërë që edhe humbjet e sasisë së ujit të jenë të mëdha. Me investimin e bërë të gjitha këto probleme marrin zgjidhje.